Intervista e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, me Tucker Carlson, komentuesin amerikan i cili ka bërë emër duke përhapur teori konspiracioni dhe e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e Uashingtonit për Kievin në luftën e saj kundër trupave pushtuese ruse, është kritikuar ashpër pse i është dhënë platformë propaganduese liderit rus në intervistën e tij të parë me një gazetar amerikan prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës para gati dy vjetëve.
Gjatë intervistës, Putini përsëri pretendoi se Ukraina ishte kërcënim për Rusinë, sepse Perëndimi po e tërhiqte këtë vend drejt NATO-s – gjë që është mohuar plotësisht nga aleanca ushtarake – derisa i ka shmangur temat si, lufta e tij brutale ndaj shoqërisë civile dhe lirisë së shprehjes në Rusi.
Në një moment, Putini foli edhe për bombardimin e Beogradit nga NATO-ja.
“Jelcin erdhi në SHBA, foli në Kongres dhe foli fjalë të mira, tha: Zoti e bekoftë Amerikën. Të gjitha këto ishin sinjale, ai tha: na lejoni të jemi me ju. A ju kujtohen zhvillimet në Jugosllavi. Boris Jelcin (presidenti rus) ngriti zërin në mbështetje të serbëve. E kuptoj se ishin procese komplekse që ndodhnin atje. Serbët janë për ne popull special dhe i afërt me kulturë ortodokse. Është një komb që ka vuajtur kaq shumë për gjenerata me radhë. Nejse, çfarë është e rëndësishme, është që Jelcin dha përkrahjen e tij, por çfarë bënë SHBA-të? Në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara bombarduan Beogradin. Ishin SHBA-të që nxorën xhindin nga shishja”, tha Putin.
“Për më shumë, kur Rusia e protestoi këtë veprim dhe shprehu pakënaqësinë e vet na u tha që ligji ndërkombëtar dhe karta e OKB-së janë të pavlefshme. Tani të gjithë thirren në ligjin ndërkombëtar. Por, në atë kohë filluan të thonë se gjithçka është si jashtë mode, e vjetërsuar”, thotë Putin.
Komentuesi politik i ekstremit të djathtë, Tuchker Carlson, i cili e mbajti intervistën më 6 shkurt dhe e publikoi në uebsajtin e vet, e pyeti Putinin nëse ai mund ta parafytyronte Rusinë duke dërguar trupa brenda Polonisë.
Carlson, ish-gazetar i Fox Neës, bëri emër duke përhapur teori konspiracioni dhe e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën në luftën e saj kundër trupave pushtuese ruse. Kjo ishte intervista e parë e Putinit me një figurë të mediave perëndimore prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në fillim të vitit 2022.
Duke e përshkruar vendimin për ta intervistuar Putinin, Carlson tha më 6 shkurt në X se mediat amerikane përqendrohen në presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe se zëri i Putinit nuk dëgjohet në Shtetet e Bashkuara, sepse gazetarët perëndimorë “nuk janë lodhur” ta intervistojnë atë prej se nisi pushtimin e Ukrainës.
Por, shumë gazetarë perëndimorë e kanë mohuar këtë, duke thënë se ata kanë kërkuar vazhdimisht ta intervistojnë Putinin, por janë refuzuar./Periskopi