Policia e Kosovës e ka arrestuar njërin nga administratorët e ‘Albkings’, grupit në rrjetin social Telegram i cili shpërndante imazhe intime të femrave.
Arrestimi i të dyshuarit është bërë të martën në mbrëmje me urdhër të Prokurorisë në Prishtinë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave në media për aktivitetet e grupit Albkings në rrjetin social Telegram, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup, e përmes së cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur”, tha prokuroria në një komunikatë për media.
Për identifikimin e të dyshuarit, Policia ka aplikuar masa të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit.
“Pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, tha Prokuroria.
Prokuroria tha se do të vazhdojë të ndërmarrë veprime tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.