Endrit Shala është kandidat i Koalicionit Për Kosovën Fituese, (AAK, NISMA). Nominimi i tij për deputet në garën zgjedhore të 9 shkurtit, vjen pas shumë vitesh angazhim në sferën politike dhe atë menaxheriale.
Për më tepër, Endrit Shala ka mbajtur edhe postin e ministrit të Tregtisë.
Shala është konsideruar si dora e djathtë e ish- zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj përgjatë gjithë karrierës së këtij të fundit politike.
Këtë e pati deklaruar edhe vet Limaj gjatë prezantimit të Shalës si kandidat për deputet.
“Përgjatë viteve, ai ka dëshmuar se është më shumë se një politikan – ai mbi të gjitha është një mik, një bashkëpunëtor i besueshëm dhe një përfaqësues i denjë i interesave të qytetarëve të Kosovës”, pati deklaruar Limaj.
Gjatë fushatës parazgjedhore Shala ka takuar qytetarë anë e mbanë vendit, derisa është zotuar se si deputet i Kuvendit, do të jetë edhe zë i fuqishëm i bizneseve për të kontribuuar kështu në zhvillimin ekonomik të vendit.
Së fundmi ai ështe takuar edhe banorët nga Kodra e Trimave në Prishtinë.
Ai tha se me ta diskutuan për sfidat dhe mundësitë që lidhen me sigurinë.
“Sonte, së bashku me kandidatët për deputetë të Koalicionit Për Kosovën Fituese, takuam banorët e lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë. Diskutuam për sfidat dhe mundësitë që lidhen me sigurinë, mirëqenien e familjeve, zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve më të mira për të gjithë qytetarët”.
“Familja është themeli i shoqërisë sonë dhe ne jemi të përkushtuar që ta mbështesim përmes politikave konkrete: paga dinjitoze, arsim cilësor, shëndetësi të sigurt dhe mbështetje për çdo familje që të ketë një të ardhme më të mirë”, ka deklaruar Shala.
Endrit Shala mban numrin 22, nga Koalicioni Për Kosovën Fituese, 137.