Në orën 11:00 pritet të fillojë protesta e paralajmëruar nga qytetarët serbë në veri të Mitrovicës. Protesta vjen pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit, ndërsa si arsye organizatorët dhanë “gjendjen e rëndë të serbëve në Kosovë”. Aktualisht në afërsi të objekteve të Urës së Ibrit janë parë të vendosur pjesëtarë të EULEX-it dhe të KFOR-it. Ndërkaq, Policia e Kosovës është prezente në afërsi të lokacionit ku do të mbahet protesta.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, dje i ka thënë Gazetës Express se protesta e paralajmëruar pritet të jetë e qetë.
Ai po ashtu ka deklaruar se do të ketë policë të mjaftueshëm që gjithçka të jetë nën kontroll.
“Një grup i qytetarëve në veri ka paralajmëruar një protestë për nesër në ora 11:00, në pjesën ku i mbajnë protestat te sheshi Car Lazar. Do të ketë numër të mjaftueshëm të policëve që do ta mirëmbajnë sigurinë. Protesta pritet të jetë e qetë”, ka thënë Elshani.
Pas njoftimit për protestë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u nxitua të propagandojë se edhe në jug “do të mblidhen shqiptarët”, duke iu referuar një thirrjeje të Agim Bahtirit që e ka bërë dje për një “tubim madhështor”.
Vuçiq madje i ka bërë thirrje KFOR’it që t’i mbrojë serbët.
Megjithatë, kjo deklaratë u demantua shpejt.
Fillimisht nga Elshani, i cili tha se nuk është paralajmëruar asnjë tubim i shqiptarëve në jug.
“Nuk ka asnjë njoftim për një tubim të tillë në jug”, tha Elshani.
Më pas në X shkroi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se “asnjë shqiptar nuk do të marshojë mbi urë”.
“Me pretendimet e rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq synon të krijojë një atmosferë frike dhe të shkaktojë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do ta bëjë. Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve”.
Kurti paralajmëroi se akuzat e rreme i prijnë sulmeve të planifikuara të Serbisë.
“Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, tha Kurti.
*Fotografia në lajm: RTK