Kryetari i Prishtinës Përparim Rama gjatë të enjtes u mundua ta arsyetojë vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në lidhje me dhënien e pronës komunale në lagjen “Prishtina e Re”.
Por, po sot Prokuroria ka konfirmuar se ka nisur hetimet parapenale për këtë punë. Madje edhe Instituti për Drejtësi në Kosovë e ka paditur Kuvendin Komunal të Prishtinës, për po të njejtën çështje.
Çka ndodhi?
Prokuroria e Shtetit ka nisur hetim parapenal lidhur me shkëmbimin e pronës komunale në lagjen “Prishtina e Re” në kryeqytet me një tokë private në Badoc, pronë e dy biznesmenëve, të cilët dikur ishin klientë të Përparim Ramës, kryetar i Prishtinës.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi për gazetën KOHA, e ka konfirmuar nisjen e hetimeve parapenale.
“Pasi Prokuroria e Shtetit është njoftuar nga mediumi juaj për dyshimet e ngritura në procesin e këmbimit të pronave, kemi filluar mbledhjen e informatave. Prokuroria Speciale tashmë ka filluar hetim parapenal për këtë rast”, i ka thënë KOHËS Kelmendi.
Ndërsa, sot Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamentin për Çështje Administrative padi për inicim të konfliktit administrativ kundër Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, raporton Betimi për Drejtësi.
Përmes padisë, IKD ka kërkuar nga gjykata anulimin e vendimit të Kuvendit të Kryeqytetit – Komunës së Prishtinës nr. 01-20/04-236518/23, i datës 26.12.2023, për këmbimin e pronës komunale, konkretisht parcelës kadastrale, nr. 01998-1, me sipërfaqe të përgjithshme 208318 m2 (Zona Kadastrale në Çagllavicë), dhe kalimin e kësaj prone në pronësi të Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit, me pronën, konkretisht parcelat kadastrale, nr. 00578-4, me sipërfaqe 3426 m2 (Zona Kadastrale Zllatar), me pronar Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit dhe kalimn e kësaj prone në pronësi të Komunës së Prishtinës.
Përmes kësaj padie, IKD ka kërkuar edhe shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të lartcekur të Kuvendit të Kryeqytetit – Komunës së Prishtinës, deri në nxjerrjen e vendimit gjyqësor sipas kushteve të përcaktuara me paragrafin 2, të nenit 22 të Ligjit për Konfliktin Administrativ.
Çka tha sot kryetari i Prishtinës, Përparim Rama?
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Pëprarim Rama, në një konferencë për media, ka thënë se procesi për këmbimin e kësaj prone ka nisur dy vjet para se ai të bëhet kryetar.
Sipas Ramës, për këtë process janë ndjekur të gjitha hapat ligjorë dhe procedural ashtu siç kërkohet.
“E kam thirr këtë konferencë për shkak se ditëve të fundit kemi qenë cak i sulmeve të shumta që kanë për qëllim denigrimin e qeverisjes se kryeqytetit, por edhe timin personal. Duke ju referu një procesi të këmbimit, proces i cili ka fillu qysh para qeverisjes tonë, pra dy vite para qeverisjes tonë. Pra ky këmbim nuk ka filluar gjatë kohës tonë, por më shumë se dy vite më parë. Edhe kjo si pasojë e vendimeve të Ministrisë së Ambientit”, tha Rama.
Tutje, ai tha se ky proces nuk ka përfunduar. Sa i përket raportimeve se do të këmbehet prona komunale me sipërfaqe rreth 20 hektarë me një me rreth 8 hektarë, Rama tha se kjo nuk qëndron meqë Ministria e Financave e përcakton se sa tokë do të këmbëhet.
“Ne si kryeqytet jemi duke zbatuar një process të rregullt i miratuar nga Asambleja Komunale, i vlerësuar nga MAPL dhe është ende proces i papërfunduar, pra është në zhvillim e sipër. Kemi ndjekur të gjitha hapat ligjorë dhe procedural në bazë të vlerësimeve të bëra nga ministritë përkatëse, pasi që pala ka pasur vendime të miratuara nga ministritë për këmbim të pronës, e që e oligon kryeqytetin me vepru… Ministria e Financave ka me përcaktu sa tokë kemi me dhanë, pra Ministria e Financave është i vetmi autoritet që e bën vlerësimin e pronav e jo ne”, tha tutje Rama.