Prokuroria Speciale njoftoi se në koordinim me Policinë, të shtunën kreu kontrolle në disa lokacione të ndryshme në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit, ku pati një shpërthim të premtën në darkë, i cli e dëmtoi kanalin e rëndësishëm për furnizimin e vendit me ujë dhe energji elektrike.
Kontrollet, u tha se rezultuan me 10 persona të shoqëruar për rrezikim të rendit kushtetues dhe terrorizëm.
Prokuroria njoftoi për “disa kontrolle në lokacione të ndryshme”, ku tha se “janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje tjera”.
“Me këtë rast në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike”, nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, nga neni 129 par. 1 dhe neni 128 par 1 nën par. 1.8 të KPRK-së, “Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 366 par 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së. Me vendim të prokurorit dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar ku për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Të dielën, Prokuroria Speciale tha se “me vendim te Prokurorit është ndaluar edhe i dyshuari J.V nga komuniteti serb, i cili ishte në kërkim lidhur me këtë vepër penale”.
“Në shtëpinë e të njëjtit është kryer kontroll, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve dhe pajisjeve tjera. Veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar”, thuhet në njoftim.