Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka informuar kabinetin e tij për pjesëmarrjen dhe marrëveshjet nga Procesi i Berlinit.
Ai tha se ky proces u “kurorëzua suksesshëm” dhe tha se Kosova ka qenë një mbështetëse e palëkundur e këtij procesi, raporton Gazeta Express.
“Republika e Kosovës është angazhuar shumë që 10 vjet për Procesin e Berlinit në mënyrë që atë ta kurorëzojmë suksesshëm siç edhe bëmë. Doli të jetë një proces i suksesshëm, i cili ka afruar vendet e rajonit me njëra-tjetrën dhe të gjitha së bashku me BE-në”, tha Kurti në fillim të fjalimit hyrës.
Ai foli edhe për vendimin për lejimin e qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës që të lëvizin drejt Kosovës me letërnjoftime.
“Në Berlin kemi nënshkruar marrëveshjen e pestë në tri samitet e këtij procesi. Ndërkohë që paralajmëruam vendimin për t’i dhënë fund pritjes gati dyvjeçare që Bosnja e Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë të nënshkruar po ashtu në Berlin më 3 nëntor 2022, duke u mundësuar kështu qytetarëve të Bosnjës që të udhëtojnë me letërnjoftime në drejtim të Kosovës nga 1 janari 2025”.
Kurti tha se marrëveshje për arsimin e lartë që u nënshkrua në mes të vendeve të rajonit do të lehtësojë procedurat e aplikimit për studentët.
“Marrëveshje e re për qasjen në arsimin e lartë dhe pranimin për të studiuar në Ballkanin Perëndimor që e nënshkruam në Berlin më 14 tetor është në vazhdimësi të marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave për institucionet e arsimit të lartë. Lehtëson proceduat e aplikimit në institucionet e akredituara në bazë të kritereve të njëjta. Një nxënës që sapo ka përfunduar shkollën e mesme apo një student që aplikon për master do të ketë më të lehtë të fillojë studimet në institucionet e arsimit të lartë në njërin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Kryeministri Kurti foli edhe për deklaratën e nënshkruar “për Tregun e Përbashkët Rajonal 2024-28 dhe miratuam Planin e ri të veprimit që tashmë është shtyllë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga i cili Republika jonë përfiton deri në 882.6 milionë euro”.
Ai tha se zbatimi i këtyre masave mund të sjellë një rritje prej 10 përqind në ekonomitë e shteteve të rajonit si dhe të afrojë rajonin me tregun unik të BE-së.
Ndër deklaratat e nënshkruara, Kurti tha se ishte edhe deklarata e përbashkët për ritheksimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal.
“Kemi qenë dhe do të jemi mbështetës të palëkundur dhe anëtar fort aktiv të Procesit të Berlinit që afirmon dhe avokon hapur dhe pareshtur në bashkëpunim më të madh rajonal të bazuar në vlerat dhe rregullat e BE-së”.
Në fund, Kurti foli edhe për vizitën e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Në këtë fundjavë do të presim edhe presidentin e KE-së pikërisht për të diskutuar zbatimin e planit të reformave dhe të rritjes, përfitimin për Kosovën dhe qytetarët tonë”.