Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim sot zv/Ndihmës Sekretarin e SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.
Osmani ka thënë se është i nevojshëm dialogu strategjik me SHBA’në “si hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit”.
“Në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t`i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën e dialogut strategjik me SHBA-në, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit, kërkesë kjo që ka vite që është përcjellë nga Presidentja Osmani.”, thuhet në njoftimin e ZPRK’së.
Osmani ka folur për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veri-Atlantike forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit.”
Presidentja Osmani ka diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Në takimin me Kasanof, Presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë.”
Kjo është vizita e parë e Kasanof në Kosovë.