Pas një kohe që nuk komunikojnë normalisht, presidentja dhe kryeministri qëndruan për disa ditë në Neë York për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së OKB-së. Vjosa Osmani dhe Albin Kurti u duk sikur qëndruan atje si përfaqësues të dy shteteve të ndryshme. Përveç agjendave jo të njëjta dhe nivelit të takimeve që patën, ata u ndanë edhe në aktivitetet me mërgatën shqiptare në SHBA. Kurti gjatë gjithë kohës e kishte afër vetes Ministren e Jashtme Donika Gërvallën ndërsa Presidentja në takime shoqërohej nga Ambasadori i Kosovës në SHBA.
Presidentja dhe kryeministri ishin veç e veç në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Agjendat i patën të ndryshme me të dy që patën atje takime e aktivitete në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Vjosa Osmani qëndroi atje afro 10 ditë, ndërsa Albin Kurti më pak. Me ta ishin edhe Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes, dhe Rita Augestad Knudsen, bashkëshortja e kryeministrit.
Një javë pasi Osmani udhëtoi për në New York, për në të njëjtin destinacion u nis edhe Kurti, që atje qëndroi bashkë me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Zyra e kryeministri edhe të hënën ka dërguar njoftime për aktivitetet në SHBA, ndërsa asnjëra palë s’ka njoftuar për kthimin në Kosovë.
Në njoftimin më të fundit nga Zyra e Kryeministrit u tregua për takimin me bashkëatdhetarë në Waterbury të Connecticat, ku thuhet se jetojnë një komunitet prej 12 mijë shqiptarësh, Kurtit iu dha Çelësi i Qytetit nga Paul K. Pernerewski Jr.
Osmani, e cila agjendën e saj ndërkombëtare e koordinon vazhdimisht me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pati “një javë përplot aktivitete në interes të Republikës së Kosovës në New York”, siç shkroi në Facebook.
Ajo mori pjesë në aktivitetet më të rëndësishme atje, me ftesë të Shtëpisë së Bardhë. Presidentja mundi t’i shtrëngonte duart me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, por edhe me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ndërsa u ftua edhe që t’u bashkohej liderëve botërorë në një samit për Ukrainën, në atë që Reuters e pëshkroi si “një shfaqje të fortë të unitetit”.
Ndërsa Osmani renditi mbi 60 takime e aktivitete në New York, Kurti tregoi për disa “takime të rëndësishme për raportet tona me miq të çmueshëm” atje.
Me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien u takuan të dy.
Të enjten, Osmani njoftoi për takimin me O’Brien, ku tha se diskutuan “për thellimin më tutje të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, si dhe ndërmarrjen e hapave që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, integrimit euroatlantik të vendit tonë, si dhe paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”.
Të nesërmen, Zyra e Kryeministrit njoftoi se edhe kryeministri, së bashku me Gërvallën, patën një takim me O’Brien. Në këtë takim, për dallim nga ai me Osmanin, ishin të pranishëm edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Me ta, Kurti tha se pati “biseda produktive për zhvillimet aktuale dhe të ardhmen”. ZKM-ja tha se u diskutua edhe për dialogun dhe “bashkëpunimin rajonal në prag të samitit të radhës të Procesit të Berlinit”.
“Kryeministri Kurti gjithashtu nënvizoi përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë”, u tha në komunikatën e lëshuar nga zyra e Kurtit.
Presidentja u shfaq në zyrat e Konsullatës së Kosovës për ta takuar po ashtu ndaras emisarin Miroslav Lajçak për të cilin s’pati kohë në fund të gushtit në Forumin e Sigurisë në Pragë.
Ndër tjerash, Osmani e Kurti e takuan veç e veç edhe Kardinalin Parolin, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit. Të dy folën me përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë për për hapjen e misionit të posaçëm të Kosovës në Vatikan. Presidentja përmendi ftesën që ia ka bërë Papa Françeskut vitin e kaluar që ta vizitojë Kosovën.
Osmani e Kurti nuk ishin bashkë as në aktivitetet me mërgatën shqiptare në SHBA. Presidentja mori pjesë në një tubim të organizuar në Staten Island nga shoqata Ulqini dhe shoqata të tjera shqiptare, si dhe në një tubim të organizuar me komunitetin në kishën shqiptare në New York. E vizitoi shoqatën shqiptaro-amerikane Vatra, pati një darkë me ndërmarrës dhe veprimtarë shqiptarë, u takua me studentë të universiteteve më prestigjoze të “Ivy League” si dhe me nxënës e mësues të shkollave shqipe në New York. Ndërsa kryeministri, një natë takoi disa shoqata dhe organizata shqiptare që veprojnë në SHBA, të cilat, siç tha zyra e tij, “i njoftoi nga afër për të arriturat dhe sukseset e Kosovës”.
Osmani: “Interesi i Kosovës është përtej dallimeve që mund t’i kemi”
Presidentja tha se i diskuton “shumë hapur” me kryeministrin të gjitha shqetësimet, përfshirë ato të ndërkombëtarëve. Ajo tha se është në interes të vendit që të “bashkëpunojmë” dhe “bashkërendohemi”.
“Jo domosdoshmërisht e kemi qasjen e njëjtë, megjithatë sa i përket interesave afatgjata të shtetit tonë, sa i përket synimit final, ne nuk dallojmë”, tha Osmani të enjten në një intervistë për Zërin e Amerikës, ndërsa shtoi se janë “të pakompromis” në dëshirën për “një Kosovë ku sundon ligji e jo kriminelët”.
“Por, insistimi im i vazhdueshëm është që në mënyrë që të gjitha këto veprime që janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën të jenë me sukses më afatgjatë dhe më të qëndrueshme, duhet vazhdimisht të punojmë bashkë me aleatët tanë. Mos të harrojmë që aleanca me Shtetet e Bashkuara është ndër themelet e shtetit tonë. Është ndër shtyllat më të forta të shtetit tonë dhe e tillë është dëshmuar çdo herë kur ne kemi pasur probleme apo sfida me Serbinë, përfshirë edhe sfidën që kishim vitin e kaluar nëpërmjet aktit të agresionit. Ishin SHBA që u siguruan që forcat e shumta ushtarake e policore rreth kufirit me Kosovën të largohen dhe të mos e rrezikojnë Kosovën, siç e bënin”, tha ajo.
Osmani tha se duhet “rigrupim dhe riorganizim”.
“Të bëhemi sërish bashkë, t’i bashkojmë forcat sepse interesi i Kosovës është përtej dallimeve që mund t’i kemi”, tha ajo.
Interesi i Kosovës duhet të jetë mbi të gjitha dhe, siç tha ajo, “janë disa tema që duhet të na bashkojnë”.
“Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, integrimi euro-atlantik i vendit tonë, janë prioritete kombëtare dhe ato duhet t’i vendosim para gjitha të tjerash. Nganjëherë shkon më ngadalë, nganjëherë shkon me shpejt, por me rëndësi është që koordinohemi, të bashkëpunojmë dhe që Kosova të ecën përpara duke mos mbetur prapa, sepse nganjëherë kjo dritarja e mundësive hapet për një periudhë, por pastaj mbyllet për një periudhë të gjatë. Duhet ta shfrytëzojmë momentumin dhe unë dje kam marrë një konfirmim të fuqishëm nga Presidenti Biden se do të jetë përkrah Kosovës dhe se Shtetet e Bashkuara vërtet e konsiderojnë Kosovën si ndër sukseset më të mëdha në historinë e vet dhe duhet ta mbajmë si të tillë”, tha Osmani.
Marrëdhëniet e dëmtuara ndërmjet Osmanit dhe Kurtit, përfshijnë një kronologji të mosmarrëveshjeve nga çështja e përfaqësimit të vendit në samitet e forumet e ndërkombëtare, konfrontimi i drejtpërdrejtë, qasja ndaj aleatëve e deri te mungesa totale e komunikimit./gazetaexpress/