Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të enjten ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetimet pasi KOHA më 13 janar raportoi se në rrjetet sociale po publikohen fletëvotime të plotësuara.
Në një komunikatë për media, prokurori i Shtetit ka thënë se është hapur rast në drejtim të veprës penale “Cenim i fshehtësisë së votimit”.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka filluar angazhimin në mbrojtjen e votës së lirë për qytetarët e Republikës së Kosovës, për zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Në kuadër të këtij angazhimi dhe pas pranimit të informatave se ka raste të dyshuara në drejtim të veprës penale ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, nga neni 215 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në komunikatë.
Zyra e Prokurorit të Shtetit ka paralajmëruar qytetarët se do të ndalohet çdo mënyrë që do të tentojë keqpërdorimin e votës së lirë.
“Prokurori i Shtetit do të ndalojnë çdo qytetarë që në çfarëdo mënyre do të tentojnë apo ndikojnë në keqpërdorimin e votës së lirë të sovranit dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit, duke i përcjellë në prokurori informatat që kanë lidhur me keqpërdorimin e votës së lirë të sovranit”, vijon komunikata e tyre.
KOHA raportoi të hënën se në rrjetet sociale janë publikuar foto e video të fletëvotimeve tek plotësohen e futen në zarfe, për procesin e votimit me postë nga diaspora, që ka nisur të enjten. Në materialet që ka siguruar KOHA, shihen persona që para vetes kanë më shumë se një fletëvotim.
Votimi nëpërmjet postës për shtetasit e Kosovës të regjistruar jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka nisur më 9 janar dhe do të zgjasë deri më 8 shkurt. Të drejtën e votës në këtë mënyrë e kanë afro 85 mijë qytetarë.