Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, e ka akuzuar zëdhënësin e Bashkimit Evropian, Peter Stano se “po e njeh Kosovën”, duke i reaguar në statusin që zyrtari evropian e bëri për përvjetorin e sulmit në Banjskë. Petkoviq u ankua se zyrtari evropian publikoi flamurin e Kosovës në shkrimin e tij.
Petkoviq ka shkruar të martën në rrjetin social X se Stano po e tejkalon mandatin e tij, duke u shprehur se “nëse ai ndryshuar punëdhënës, duhet të tregojë”.
“Kush e autorizoi zëdhënësin e BE-së, Peter Stano, për të shkelur neutralitetin e statusit të BE-së, duke e njohur të ashtuquajturën Kosovë. Në emër të kujt flet Stano dhe pse e tejkalon mandatin e tij kur 5 shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë në Kosovë. Nëse ai ka ndryshuar punëdhënës, duhet ta thotë këtë qartë”, ka thënë Petkoviq.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE-ja përsërit thirrjen që të ndiqen përgjegjësit e sulmit në Banjskë dhe se është e përkushtuar për drejtësi.
“Një vit pas sulmit në Banjskë. BE-ja përsërit thirrjen për ndjekje të shpejtë të përgjegjësve dhe rikonfirmon përkushtimin e saj për drejtësi dhe llogaridhënie. Është rikujtim i nevojës për përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur sigurinë dhe avancimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Stano.