Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi është i hapur të lëshojë rrugë në rast se përmbushet peticioni i nisur sot në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.
Ai ka thënë se nuk do të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme lokale, kurdo që mbahen ato.
“Do të punojmë në bazë të ligjeve, s’e kemi problem atë, s’kemi ka shkojmë. Nëse mblidhet nënshkrimi i peticionit s’e kemi problem hiq, largohemi normal. Nuk besojë se do të konkurrojë më”, ka thënë Hetemi për “Indeksonline”
Ndryshe, sot në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq qytetarët e nacionalitetit serb kanë nisur nënshkrimin e peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar.
Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur në orën 09:00.
Në Mitrovicë të Veriut, peticioni po mbahet pasi asamblistët komunalë miratuan kërkesën e iniciatorit që mbledhja e nënshkrimeve të bëhet në sallën e sportit në këtë komunë në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ndërsa në Leposaviq, sipas njërit nga iniciatorët e peticionit, Vesellin Radoviq, është marrë leje që të shfrytëzohet hapësira para komunës për mbledhjen e nënshkrimeve.