Në 43 vjetorin nga vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë nderime.
Osmani ka thënë se Serbia nuk ka mundur asnjëherë ta ndalë rezistencën e popullit shqiptar, ndërsa ka theksuar se sakrifica e të rënëve për liri nuk harrohet kurrë.
“Qysh atëherë i pamë në mënyrën më mizore përpjekjet e Serbisë për të ndaluar kauzën tonë kombëtare dhe rezistencën tonë për liri. Por, asnjëherë regjimet e tilla hegjemoniste nuk mund ta ndalin shpirtin e një populli për të jetuar të lirë. Sot përkujtojmë me dhimbje sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës”, ka thënë ajo pas nderimeve te busti i Kadri Zekës.
Presidentja ka kujtuar edhe ish-deputetin Smajl Hajdarajn, i vrarë më 17 janar 2002. Ka thënë se institucionet duhet të bëjnë çmos për të zbardhur vrasjet e kryera edhe pas luftës.
“Sot është edhe përvjetori i vrasjes makabre së Smajl Hajdaraj i cili fatkeqësisht u vra pas luftës por nga njerëz që ishin kundër lirisë së Kosovës. E përkujtojmë me dhimbje dhe bëjmë thirrje për të vënë autorët para drejtësisë dhe institucionet tona të bëjnë çmos që ata që kryen vrasjet edhe pas luftës të përballen me drejtësi”, ka shtuar ajo.