Edhe zyrtarisht Kosova nuk do të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani.
Ai i ka bërë thirrje Kosovës që t’i përmbushë sa më shpejt obligimet që i ka marrë përsipër.
“Dështimi për të vendosur për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, është një mundësi e humbur historike për Kosovën që të ketë një vend të merituar në tryezë dhe një zë më të fortë në formimin e një Evrope të bashkuar dhe demokratike”, shkroi Hasani.
“Është e nevojshme që qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë”, theksoi kryediplomati shqiptar.
Sipas tij, përmbushja e kushteve nga Kosova, mund të bëjë që të mbahet një mbledhje tjetër e Komitetit në të ardhmen e afërt.
“Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet i Ministrave të KiE. Të gjithë duhet të veprojmë me shpejtësi për të përmbushur ç’ka i kemi borxh popullit të Kosovës”, ka shkruar Hasani.
Ministri francez për Çështjet Evropiane, Jean-Noel Barrot, ka vlerësuar se Franca mendon se çështja e Kosovës në këtë fazë shkaktojë përçarje ndërmjet vendeve në Këshillin e Evropës.