Sllovakia do të dërgojë trupa në misionin e KFOR-it për herë të parë në 15 vjet, ka bërë të ditur kryeministri sllovak Robert Fico gjatë vizitës në Beograd. Lëvizja e Ficos po shihet si mbështetje për Serbinë e shqetësim për Kosovën.
Fico ia bëri të qartë presidentit Aleksandar Vuçiq se Sllovakia respekton integritetin territorial të Serbisë dhe nuk e ka ndërmend ta njohë Pavarësinë e Kosovës.
Gjatë takimit në Beograd, të dy liderët diskutuan gjithashtu për migracionin dhe për një vizitë në Moskë.
Sllovakia bashkë me Rumaninë, Greqinë, Spanjën e Qipron janë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.
Që kur Fico e mori detyrën si kryeministër, Sllovakia e mbylli edhe Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë – lëvizje që befasoi shumë diplomatë e ekspertë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur pas takimit, Fico u ankua pse takime të tilla nuk ndodhin më shpesh dhe pretendoi se ai dhe Vuçiqi përballen me “propagandë anormale”.
Vuçiq ia ktheu lavdërimin, duke e quajtur Ficon “një nga liderët më të rëndësishëm dhe më të mëdhenj botërorë”.
Për temën e Ukrainës, Vuçiqi dhe Fico shprehën qëndrime të ngjashme. Fico vazhdon ta kritikojë qasjen e Perëndimit karshi kësaj lufte.
Kryeministri sllovak njihet për qëndrimet anti-Kosovë. Gjithashtu ai është mes liderëve evropianë që anon më shumë kah Rusia.