Shkruan: Engjell Gjugja
Për çështjen e “Lëvizjes së Deçanit”, nji letër drejtuar vëllezërve Shqiptar të besimit Islam.
Me respekt dhe përulësi ju drejtohem, pasi që e kam shpreh mendimin dhe kritiken time mbi vllaznit tonë Shqiptarë që kanë nis lëvizjen për braktisjen e islamit: (a) kundërshtinë time me termin “anti”, (2) shtjellimin e raportin e fesë me kombin, (3) procesin e përqafimit t’Krish’nimit (4) rrezikun e Krisht’nmit kulturor, (5) thirrjen për ngritjen e këshillit ndër-fetar, sot du me e nda nji mendim mbi çashtjen që besoj që na ka mbajtë dhe duhet me na bashkue të gjithëve, pa dallim feje: nevoja për t’përqafue dhe promovue kategorikisht preambulën e vlerave tona kombëtare dhe demokratike, duke u bazuar në historinë, traditat, dhe besimet tona që janë nën krahët e Shqiponjës n’flamurin tonë.
Si Shqiptarë, t’krishtenë e myslimanë, kemi kalu shekuj plot sfida, kemi mbijetu dhe lulëzu falë bashkimit tonë si nji komb me vlera t’madhnishme. Jemi udhëheq nga vlera morale dhe shpirt’nore kombëtare, t’cilat i kanë dhanë forcë dhe kjartësi rrugëtimit tonë për të ndërtu nji t’ardhme ma t’mirë edhe për brezat që kanë me ardhë. Kush asht lut n’kishë e kush asht falë n’xhami, ka kenë dhe duhet me kenë çashtje personale, sepse k’to lutje e falje kanë pë qëllim me na ba me kenë njerëz ma të mirë!
Që prej kohës t’Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, u ba i kjartë qëndrimi i Shqiptarit përballë feve: t’gjitha, s’bashku nën Flamur, kundër çdo pushtuesi kjoftë ai sllav, kjoft ai osman (i cili në radhët e ushtrisë t’saj kishte edhe t’krishtenë). E pastaj n’Rilindje qëndrimi ishte i kjartë: “..feja e Shqiptarit asht Shqiptaria”! U sakrifikuen priftërinj e hoxhallarë Shqiptarë nën k’të moto! E tani ma shumë se kurrë, përballë t’ktyne tensioneve ideologjike dhe gjeopolitike, asht e rëndsishme me u bashku në nji za t’përbashkët për me promovu dhe mbrojtë vlerat tona kombëtare, t’cilat na identifikojnë dhe na japin dinjitet anë e mbanë botës. Nuk duhet t’lejohet as Bibla e as Ku’rani, e asnji lloj udhëzimi fetar me ba njeriun Shqiptar me e mohu kombin e lene ma, me tentu, me e tjetërsu historinë!
Ne e dijmë që fetë janë pjesë identitare e kombit Shqiptar, por duhet t’marrin përgjegjësitë që na takojnë, për t’kultivu dashninë për atdheun, për kulturën dhe për vlerat e trashegueme, t’cilat e kanë formu bashkëjetesën fetare – e cila për ne Shqiptarët asht conditio sine qua non (kusht i domosdoshëm i ekzistencës), kjo gja nuk duhet me u lan n’dorë të asnji institucioni fetar. E për k’të gja asht e nevojshme preambula e vlerave kombëtare. Preambula asht thelbi i t’vërtetës historike t’popullit tonë, e t’vërtetën nuk ka nevojë askush me na ri-shpikë, sepse mjaft martirë t’kombit nga e kanë dëshmu me sakrificën e tyne, vërtetësinë që asht trashëgue deri sot. Si Kisha e Xhamia duhet me pas kujdes n’raportin e vetë me kulturën dhe identitetin e kombëtar: me e përmbush atë e jo me e tjetërsu të influencuem fryma konservatore, të asnjanës fe! Unë si vëlla i juaji Shqiptar katolik, jam rrit dhe kam jetu me vllezën e motra Shqiptare, t’besimit Islam, dhe tuj pa disa individ nën pektun e klerikut fetar, nëpër rrjete sociale e media, të cilët përfaqësojnë Islamin, kam pa që po predikojnë gjana t’cilat nuk kanë asnjë lidhje me atë që neve na ka mbajtë bashkë: Shqiptarinë.
K’to predikime, n’vlerësimin tim, s’kanë kurrfarë lidhje me ju, t’dashtun vllazën Shqiptarë, t’besimit Islam dhe as me traditën kombëtare Shqiptare. Pyetja që më vjen asht: a kanë të drejtë në predikimet e veta k’ta klerik të nji fryme tejet konservatore? Për me e kuptue këtë gja duhet me u bazue n’burimet kryesore t’fesë që i përkasin, e jo n’tradita t’përbashkëta! N’se ata janë tuj predikue çka thotë feja, bazue n’burimet autentike të besimit, atëherë s’kanë pse me u fajsue, sepse n’rrafshin fetar ata po japin m’sime t’sakta. Po k’to m’sime nëse janë t’sakta, rrjedh pyetja, pse janë tu nxitë që shqiptarët me u tjetërsue sot, e përpara Shqiptarët kanë kenë shumë t’bashkum edhe pse t’besimeve t’ndryshme? A nëse k’to m’sime fetare nuk janë t’sakta, at’herë vllazën Shqiptarë mysliman, e keni përgjegjësinë ju me dal e me i kritiku privatisht e publikisht, me argumente që rrjedhin nga burimet fetare, ashtu siç ka pa ba nji vlla Shqiptar, hoxhë i nderuem i Deçanit, me plis n’kokë të cilin e braktisën, dhe e p’soi mbi shpatullat e veta, tu ushtru dhunë mbi të, dhe mbi familjen e tij! Fatkeqësisht përmasat e k’tyne rrymave tejet konservatore nuk kanë qëndrue vetëm mbi çashtje teologjike por kanë kalue edhe përtej tuj ndikue n’jetën sociale, politike dhe gati tuj cenu laicizmin kushtetor të Kosovës! Teologjikisht fetë janë të ndame qysh n’zanafillën e tyne dhe kjo asht e padiskutueshme. Kjo gja ka marrë përmasat që me prek n’identitet, n’komb edhe n’demokraci, e kyt gja nuk do ta kishte leju as Ymer Prizreni e as Abdyl Frashëri, as Isa Boletini e as Bajram Curri, as Ismail Qemaili e as Luigj Gurakuqi, as Fan Noli e as Gjergj Fishta, as Faik Konica e Eqrem Çabej, e as Ibrahim Rugova e as Adem Jashari.
Siç e thashë ma herët, Shqiptarët kanë pas gjithmonë nji çasje mirëkuptimi kundrejt fesë dhe kanë kriju nji traditë bashkëjetese tu u identifikue në nji komb! Prandaj, çdo predikim që shkon kundër k’saj tradite duhet me u trajtue me kujdes. Kjo gja mu m’shqetson dhe jo vetëm mu, po edhe shumë Shqiptarë (pa dallim feje). Përball k’tij fenomeni nuk mund t’rri indiferent, ashtu siç nuk qendrova indiferent me mendimin tim n’opinionin e kaluem, sepse ju dua ma t’mirën dhe besoj që tanë Shqiptarët e besimit t’krishten (pavarësisht Shqiptar katolik, ungjillor apo ortodoks) janë nji mendimi me mu. Kam dëgju ktyne ditëve, gjatë emisioneve, pretendimin se gjoja (1) ata që e braktisin islamin dhe e përqafojnë nji fe tjetër, apo qëndrojnë t’pa fe janë anti-kombëtar dhe (2) gjoja Lëvizja e Deçanit asht anti-kombëtare dhe që mbështeten nga armiku! E n’mendimin tem, asnjana palë nuk asht levizje anti-kombëtare! Po e shtjelloj më tutje.
Sa i përket pretendimit të 1: Askush s’mund me i mohu, dikujt, t’drejtën në zgjedhjen e besimit/fesë, pavarsisht arsyjeve që shpalos individi! Askush nuk ka t’drejtë me kërku llogari, se pse dikush e ka zgjedhë nji besim e jo nji tjetër! Liria e zgjedhjes asht nji e drejtë themelore e qenies njer’zore dhe asht e garantueme edhe me Kartën e t’Drejtave të Njeriut, që prej artikullit t’parë. E kë e pengon liria, at’herë e pengon njer’zimi! Askush s’ka t’drejt ta ofendoj tjetrin sepse kjo nuk hyn n’radhët e lirisë! Por asht e domosdoshme që t’argumentohet n’rrafshin historik, n’rrafshin teologjik e n’rrafshin filozofik për k’to çashtje! E n’rastin tonë, askush nuk mund me ja ndalu dikujt që me e zgjedhë fenë katolike, apo cilindo fe tjetër, nëse ai individ asht i bindun se kjo gjë e bën atë Shqiptar më të mirë! E n’kjofse ajo zgjedhje e ban me u ba Shqiptar ma i mirë, ky asht interes i t’tgjithëve neve! Unë e kam kritiku kyt çasje dhe i qëndroj asaj sepse e kam pa t’rrezikshme për t’ardhmën e Krisht’nimit Katolik, por kjo tezë e imja ka – ose me u vertetu ose me rrëzu – n’kohë dhe n’hapësinë t’Republikës së Kosovës.
Zgjedhja asht nji bindje subjektive e tyne, që kanë t’drejtë ta kenë dhe askush nuk mundet me ia ndalue! E ne e kemi lirinë me e kritiku n’mënyrë konstruktive, siç e bana edhe vet edhe pse u keq-interpretue nga disa të cilët nuk e lexun, e mirëkuptue nga shumica t’cilët e lexun! Nga tjetër askush nuk mund t’pretendojë që këta individ t’fshehin g’zimin e realizimit t’dëshirës tyne. Nuk mujnë me qëndrue si n’kohët e t’krishtenve të parë që janë strehu n’katakombe tuj ik prej romakve. Në ndërkohë e kritikoj prapë Levizjën, që duhet me e ndalue kategorikisht ofendimin kundrejt besimtarëve t’Islamit sepse n’fund t’ditës këta janë vllazën Shqiptarë myslimanë, kanë mbështet jetën mbi t’vërtetën që e kanë trashegue n’historinë e familjeve tyne dhe pastaj me studime dhe me lutje janë thellue n’të.
Kam dëgjue shumë herë pjesëtarë t’kësaj lëvizjeje dhe njerëz të tjerë që janë tuj e përqafue fenë katolike, apo edhe tu e braktisë çdo fe, tuj thanë: “Nuk keni nevojë t’merreni me ne! Na leni rehat që ne t’bajmë zgjedhjen tonë!”, dhe për mendimin tem ky asht një pohim i vërtetë dhe i drejtë, por edhe ju me i lanë rahat të vllaznit Shqiptarë, tjerë! Zgjedhni grupin e punës dhe argumentoni n’rrafshe t’ndryshme, me qëllim me pas nji dialog dhe me e rrefuzu zhurmën e turmave. Mos harroni se turmat e kryqëzun Jezusin dhe e liruan kriminelin: Barnabën! Sa i përket pretendimit të 2: T’dashtun vllazën Shqiptar mysliman, disa individ kanë shpreh mendime se gjoja Levizja e Deçanit, apo ajo e braktisjes paskan mbështetje nga armiku! E ktyne individve kam dëshirë me i shtrue dy pyetje t’thjeshta: – si mundet nji armik me e mbështet nji Lëvizje, që me dashtë, me respektue e me i mbrojtë simbolet kombëtare Shqiptare?; – si mundet nji armik me i dhanë pare nji Lëvizje që me marrë nisma që me fuqizu identitetin kombëtar dhe me promovu gjuhën e traditat tona?., vetëm tu i lexu k’to pyetje kuptohet e vërteta. Po bash n’kto pyetje logjike përgjigja asht: mbështetja e tyne vjen nga vullneti individual me mbrojtë vlerat e kombit! Unë e kuptoj hallin e atyne personave! Por po t’i kishit dëgjue fjalët parashikuese të Hoxhës të nderuem të Deçanit, me plis n’kokë, nuk kishim me kenë n’këtë farë lloj situate sot. Sepse siç dikush i ka të ndjeshme çashtjet e besimit/fesë, po ashtu dikush i ka çashtjet e kombit dhe identitetit kombëtar! Po ashtu n’këtë gja nuk ka asnji lloj përçarje ndërfetare sepe asht çashtje raporti midis kombit dhe fesë, e cila duhet me u trajtu brenda komunitetit tuaj dhe me reflektue mbi këtë krizë, dhe jo me e kërku problemin “n’oborr t’dikujt tjetër”. Dhe për këtë gja kishte me kenë mirë Këshilli Ndërfetar sepse kishte kontribue edhe në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe vlerave demokratike të Kosovës. Shtrohet pyetja, çfarë t’ban armiku?
Përgjigje e thjesht: “Armiku nuk t’ban me dasht atdheun tand” e k’të gja na e ka thanë historia. Armiku t’ban: – me menjanu traditat dhe me i zavendsu me tjera; – mbështet nisma me thanë “nuk jam Shqiptar por jam diçka tjetër”; – zavendson kostumet tona me ato t’nji kulture tjetër; – mbështet nisma që me e zhduk gjuhën shqipe dhe me e zevendsu me nji tjetër; – ofendon simbole e imazhe që ke respektue, nderu e naltsu tanë jetën; – me e quajt armikun “ekselencë”; – dhe n’fund t’qet me ndru historinë tande dhe me e thirr pushtësin “vlla”, etj. Mbi këtë çashtje qëndrimi i jem asht i kjartë: k’ta individ, që i bajnë k’to gjana që i listova ma nalt, n’kjoshin prifta e hoxhë apo individ, duhet me shku direkt me u pergjigjë para ligjit dhe me e marrë atë ça meritojnë! Çdo prijës fetar i cili fol nji gja kundër rendit demokratik në Kosovë, kombit, simboleve kombëtare, kundër gjuhës shqipe apo traditave tona t’përbashkta duhet me kenë subjekt gjykimi nga ligji, kritike dhe demaskimi.
Shteti duhet urgjentisht t’miratoj ligje e mekanizma për kontrollin e veprimtarisë fetare dhe garantimin e stabilitetit shtetnor. N’se nuk i mbrojmë e promovojmë vlerat tona demokratike e ato të identitetit kombëtar, kush ka me i ba për ne Jam rrit dhe jam edukue bashk me ju në shkollë, kemi këndu bashkë himnin e flamurit, t’premten kam shku me ju në xhami t’Hadumit, e t’diellen keni ardh me mu n’kishë t’Shna Ndout, e kemi fol për Skendërbe e Bajram Curr, e për 28 Nëntor e kena ba lagjën kuq e zi e me 17 Shkurt e festumë pavarsinë e Kosovës. Vllazën e motra Shqiptarë, t’besimit Islam, kjo na ka majt bashk e na ka lumturu! E kena kuptu që nuk ka Zot i cili nuk t’kërkon me e dashtë dhe me e ndërtu atdheun dhe identitetin kulturor, me i respektue t’vjetrit e vendit, pa marr parasysh besimin t’cilit i përkasin. Tuj e nderu dhe promovu preambulen tonë historike, që asht themel i përbashkët i vlerave kombëtare, kena me kenë n’gjendje t’forcojmë ma tej unitetin dhe t’ndërtojmë nji të ardhme ma t’ndritur, ku të gjithë Shqiptarët, pavarësisht besimit, t’mund të kontribuojnë në përparimin e vendit, duke mos harru faktin që Kosova asht shtet me shumë etni dhe fe, nën sistemin demokratik.
T’i m’sojmë fëmijët me njoftë historinë (ashtu siç asht dhe t’pa tjetërsueme), me e dashtë gjuhën, traditën, e kulturën tonë dhe me i respektu të tjerat! T’i m’sojmë sistemin e demokracisë! Çojini n’muze, n’filharmoni e n’teatër! Aktorë, mos rrini mbyllë n’teatër, po shkoni cep n’cep e ndërgjegjësoni t’rinjtë dhe popullin! Çojini n’Krujë e n’Prekaz me m’sue dashninë për vlerat tona! T’i m’sojmë mbi herojntë e shenjtit Shqiptar. T’i m’sojmë që flamuri asht simbol i kombit dhe të nderohet si ai i Shqiptarisë e ai i Kosovës. T’i m’sojmë ata me e shiju muzikën dhe artin shqiptar. T’i m’sojmë ata me e dashtë t’bukurën e me dashtë harmoninë! Por sidomos me e dashtë dijën, sepse dija asht shijimi i t’bukurës. Vlerat e traditat e bukura të kombit tonë janë t’pambarueshme! Dhe si ka thanë Dostojevsky: “E bukura ka për t’na shpëtue”, e n’këtë rast ja vlenë me thanë që vlerat kombëtare Shqiptare kanë për t’na shpëtue! Ajo ideologji apo fe, e cila na ndalon aftësinë me ba pyetje, me e kritikue, me pas dyshim që me e gjetë t’vërtetën, ajo ta ndalon shijimin e t’bukurës. Largohuni dhe shkoni aty ku bahet pyetja, dyshimi e kritika. Emancipimi dhe e verteta shpalosët vetëm atëherë kur fillon pyetja dhe kritika! E verteta na banë t’lirë e liria na shpalos t’bukurën! N’fund, kam dëshirë me ritheksu edhe një herë, se secili e g’zon lirinë me e zgjedh besimin që ka dëshirë por jo identitetin kombëtar. Ata Shqiptarë që janë pagëzue e po pagëzohen, ta lexojnë mirë kritikën teme t’kalueme, dhe i uroj ta bajnë nji rrugëtim cilësor drejt transformimit shpirt’nor, që ai transformim t’jetë kontribut kulturor për kombin tonë, ku mund të përfitojnë të gjithë! Dhe besoj që nën preambulën e cila na përbashkon, u’a urojmë bashkë E rinovoj ftesën drejtue institucioneve fetare për ngritjen e Këshillit për dialog Ndërfetar në Kosovë.
T’jemi t’bashkuem e mos t’lejojmë askënd të shëmtojë bukurinë e bashkëjetesës sonë! P.s Fjala “kritikë” dhe “krizë” në greqishtën e lashtë, dalin nga e njejta rranjë etimologjike. Të dyja lidhen me konceptin e analizës, vlerësimit dhe gjykimit. Unë mbaj vetëm qëndrime kritike dhe nuk kundërshtoj vendimet e askujt dhe nuk i dal askujt kundër asgjeje, përveç në rastet kur preket dinjiteti personal, familjar dhe ai kombëtar.