Dy ditë më parë, Komisioni për liri qytetare dhe punë të brendshme i Parlamentit Evropian miratoi raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë, që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Raporti u përpilua nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, dhe u votua me 34 vota pro, raporton Indeksonline.
Dhënia e këtyre pasaportave u jep mundësinë banorëve serbë të Kosovës të mos pajisen me pasaporta kosovare, teksa liberalizimi i vizave për ta vjen 4 muaj pas liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.
Asistentja parlamentare e PE-së, njëherazi edhe avokuese e madhe e sovranitetit të Kosovës, Federica Woelk, thotë se një vendim i tillë është për keqardhje.
“Fatkeqësisht, vendimi i fundit i komisionit përgjegjës të Parlamentit Evropian lidhur me njohjen e pasaportave të lëshuara nga Serbia (përmes strukturave paralele) për serbët e Kosovës është thellësisht për keqardhje. Vendimi mundëson vetëm destabilizimin e mëtejshëm dhe me siguri nuk arrin qëllimet që BE-ja i ka vendosur vetë. Për mendimin tim, Serbia ka punuar shumë për të arritur këtë rezultat” ka thënë Woelk, në një intervistë për Indeksonline-n.
Vendimi në fjalë, sipas Woelk-ut, kërcënon sovranitetin e Kosovës, meqë edhe zyrtarisht “tashmë i njeh strukturat paralele, të cilat shteti po përpiqet t’i luftojë”.
Sipas Woelk-ut, njohja e këtyre pasaportave në mënyrë implicite nënkupton lejimin e funksionimit të strukturave paralele ilegale.
Pasaportat në fjalë, për banorët kryesisht të veriut dhe jo vetëm, janë dhënë nga Drejtoria Koordinuese në Serbi, që funksionon në kuadër të MPB-së serbe.
“Kjo është krejtësisht e papranueshme. Në përgjithësi kam frikë se sovraniteti i Kosovës është realisht i rrezikuar dhe as që njihet seriozisht nga ndërkombëtarët”, ka shtuar Woelk.
Për qasjen e PE-së karshi kësaj situate, Woelk-u vlerëson se Parlamenti… në fakt nuk ka shumë njohuri për situatën në Kosovë dhe kështu e shohin vetëm sipërfaqen.
Ajo thekson se po të diskriminoheshin vërtet serbët e Kosovës, atëherë do të ishte tjetër qasje. Megjithatë, Woelk-u pohon se bëhet fjalë për struktura paralele që vetëm sa e rrezikojnë sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, qofshin ata shqiptarë apo serbë.
“Për fat të keq, mendoj se serbët e Kosovës tashti do të mendojnë të marrin më shumë pasaportën serbe, sepse në fund pasaporta kosovare ofron të njëjtin përfitim. Nuk po flas për ata që realisht po përpiqen të integrohen brenda Kosovës, por për ata që janë ende të pasigurt dhe ndihen më “rehat” duke u rreshtuar me Serbinë. Kjo është pengesa kryesore për një integrim të duhur për serbët e Kosovës, jo për qeverinë kosovare.”/Indeksonline/