Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka njoftuar se të mërkurën ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë për anulimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë.
Në njoftimin e PDK-së thuhet se vendimi është “marrë në mungesë të një procesi të drejtë, të bazuar ligjërisht dhe gjithëpërfshirës, tashmë ka filluar të prodhojë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme për mbi 1,300 biznese vendore dhe mbi 140 mijë punëtorë të këtyre ndërmarrjeve”.
Tutje thuhet se efektet e këtij vendimi po rrezikojnë seriozisht stabilitetin ekonomik të vendit, siç thuhet, përmes rritjes së çmimeve, nxitjes së inflacionit dhe kërcënimit për falimentimin e një numri të madh të bizneseve.
“Krahas padisë kryesore, PDK ka kërkuar nga gjykata edhe caktimin e masës së sigurisë – pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij vendimi – në përputhje me nenin 100 të Ligjit Nr. 08/L-182 për Konfliktet Administrative, për të parandaluar dëmet që po shkaktohen çdo ditë. Në këtë proces, PDK ka vepruar si palë paditëse me legjitimitet të plotë ligjor, në mbrojtje të interesit kolektiv të qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës. Vendimmarrja e Zyrës së Rregullatorit për Energji ka cenuar jo vetëm të drejtat ligjore të konsumatorëve që tejkalojnë qarkullimin prej 10 milionë euro në vit apo që punësojnë mbi 50 persona, por ka goditur edhe drejtpërdrejt interesin ekonomik të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Procedura paraprake e ndjekur pranë ZRRE-së e ka konfirmuar plotësisht shqetësimin tonë të kahmotshëm: ky institucion nuk ka nxjerrë asnjë vendim përfundimtar administrativ për liberalizimin e tregut, por ka përdorur një njoftim të thjeshtë, për të imponuar një detyrim të rëndë ndaj sektorit privat. Ky veprim është bërë në mënyrë të qëllimshme, me synim shmangien e kontrollit gjyqësor”, thuhet tutje.
Të martën Oda Ekonomike e Kosovës njoftoi se Gjykata Komerciale ka vendosur për pezullimin e njoftimit të ZRRE-së lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Pak orë më pas ZRRE-ja ka thënë se bëhet fjalë për aprovimin e ankesës së vetëm një biznesi dhe jo për pezullim të plotë të njoftimit.