Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka dorëzuar të enjten pasdite dy ligje dhe statutin e Universitetit të Prishtinës në Gjykatën Kushtetuese për të cilat pretendon se ka shkelje kushtetuese nga qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ligji për Komisionin e Pavarur për Media dhe ai për Këshillin Prokurorial, sipas partisë më të madhe opozitare, përbëjnë shkelje kushtetuese dhe cenojnë pavarësinë institucionale e lirinë e medias. Për arsye të ngjashme është dërguar në Kushtetuese edhe statuti i Universitetit të Prishtinës, i ndryshuar së fundmi me votat e deputetëve të LVV-së.
Ligjin për KPM-në dhe atë për KPK-në e patën kritikuar edhe ndërkombëtarët.