Ndihmës Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson të mërkurën vjen në Kosovë.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ai fillimisht do të udhëtojë në Tiranë, ku do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Robinson më pas do të vijë në Kosovë më 20-22 mars, por nuk do të takohet me kryeministrin e vendit, sikur në Tiranë. Në Prishtinë, ai do ta takojë presidenten Vjosa Osmani.
“Nga data 20-22 mars, Ndihmës Sekretari Robinson do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me partnerët në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Kurti u ‘injorua’ së fundmi edhe nga zyrtarja e lartë e USAID-it, Erin E McKee, e cila në fillim të këtij muaji ka qëndruar në Kosovë për një vizitë zyrtare në Kosovë. Edhe ajo u takua vetëm me Osmanin.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka folur për pasojat për Kosovën, për shkak të padëgjueshmërisë së Qeverisë ndaj kërkesave amerikane.
Escobar tha javën e kaluar se ka dy vjet që askush nga Qeveria s’ka pasur takime të nivelit të lartë me dikë nga administrata amerikane.
“Tani, pyetja nuk është nëse do të ketë masa, por, padyshim, ka pasoja. Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. “Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, shtoi diplomati amerikan.