Pas shumë kritikave nga komunat, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka vendosur që të bëhet bartja e të hyrave vetanake për komunat.
Kështu ka njoftuar ministri Murati, i cili ka bërë të ditur se janë 60 milionë euro të hyra vetanake të komunave.
“Bëhet bartja e të hyrave vetanake të komunave. Në pajtim me Nenin 9.6 të Ligjit të Buxhetit, sot kam miratuar bartjen e të hyrave vetanake të komunave në vlerë prej 60 milionë eurove.”
“Bartja në këtë formë bëhet për të hyrat vetanake që kanë qenë të alokuara, kurse për pjesën e pa-alokuar, bartja bëhet me vendime të kuvendeve komunale përkatëse.” – ka shkruar Murati në Facebook.
Kujtojmë se Asociacioni i Komunave të Kosovës kishte kërkuar në vazhdimësi bartjen e këtyre mjeteve nga Ministria e Financave.