Me sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi” sot nisë Java e Krenarisë në Kosovë, që synon fuqizimin e komunitetit LGBTI+.
Në ditën e fundit të Javës së Krenarisë, më 8 qershor, do të organizohet edhe Parada e Krenarisë.
Gazeta Express ka pyetur Prishtina Pride nëse i kanë ftuar krerët e shtetit dhe politikanë tjerë që të marrin pjesë në paradë.
Nga Prishtina Pride kanë thënë se i kanë ftuar jo vetëm në paradë por në të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen përgjatë Javës së Krenarisë.
Ata “besojnë” që politikanët do të marrin pjesë në paradë por shtojnë se “mbetet të shihet më 8 qershor”.
“Si çdo vit, edhe këtë vit jemi siguruar që t`i ftojmë jo vetëm në Paradë, por në të gjitha aktivitetet e Javës së Krenarisë, edhe përfaqësuesit e institucioneve, dhe jo vetëm ata. Ne besojmë që edhe këtë vit ata do të na bashkangjiten në ecje sikurse viteve të kaluara. Kjo mbetet të shihet me 8 qershor, në Paradën e Krenarisë”, kanë thënë nga Prishtina Pride për Express.
Hapja zyrtare e Javës së Krenarisë do të bëhet sonte në orën 18:00 nën patronatin e Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Kundër Diskriminimit – Zyra e Kryeministrit.
Në hapjen zyrtare sonte do të marrin pjesë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Po ashtu, aty do të jenë edhe shefi i Zyrës së BE’së Tomas Szunyog, zv/ambasadorja e SHBA’së Alyson Grunder, ambasadori i Suedisë Jonas Westerlund dhe drejtori i CSGD Arbër Nuhiu.
Vitin e kaluar, kryeministri Kurti kishte dalë për herë të parë në Paradën e Krenarisë.
Parada e Krenarisë në Kosovë për herë të parë është mbajtur në tetor të vitit 2017. /GazetaExpress.