Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk duhet të merren seriozisht deklaratat e presidentit serb për kthimin e serbëve në institucione.
Në një konferencë për media, pas lansimit të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ajo ka thënë se Aleksander Vuçiq këtë e bënë vetëm për të iu hedhur hi syve BE-së dhe aleatëve tjerë.
“Deklarata Vuçiqit për rikthimin e serbëve në institucione ka qenë vetëm sa për t`u hedhur hi syve përfaqësuesve të BE-së dhe partnerëve të tjerë. Në fakt, kur e thotë këtë Vuçiqi nuk e mendon dhe as nuk e dëshiron”, ka thënë Osmani.
Ajo ka vlerësuar pikërisht presidenti serb është ai që i ka larguar ata nga institucionet.
“Në konferencën për media flet për rikthim të serbëve në institucione të Kosovës, por është po i njëjti njeri, i cili i ka detyruar ata të tërhiqen nga këto institucione dhe ka krijuar këtë situatë, ku ata nuk janë në polici, gjyqësi dhe institucione tjera. Gjithë këtë e bënë vetëm për ta tërhequr vëmendjen nga qëllime e tij të vërteta . Në asnjë moment nuk e besoj që Vuçiqi është i interesuar që serbët të kthehen në institucione. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ne si institucione të Kosovës të mos punojmë me të gjithë qytetarët të nacionalitetit serb në mënyrë që bënë përputhje me procedurat e ligjshme të jenë prezent në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, gjë që ju takon edhe me Kushtetutë edhe dhe me ligjet që dalin nga pako të Ahtisarit”, është shprehur Osmani.
Sipas saj, institucionet e Kosovës duhet të punojnë për të iu dalë në ndihmë serbëve të Kosovës.
“Kosova është multietnike është Kosovë për të cilën ne si shtet kemi dhënë përkushtimin tonë dhe çdo e drejt që iu njihet serbëve dhe të gjitha komunitetit tjera duhet të zbatohet si e tillë, jo përse thotë Vuçiqi, por që u takon me Kushtetutë. Në asnjë moment nuk besoj që Vuçiqi e ka atë qëllim, Vuçiqi ka komplet qëllime tjera, ai dëshiron të duket para perëndimit se kinse po kontribuon diçka pozitive, por në fakt, në prapaskenë Vuçiqi vazhdimisht punon vetëm në destabilizim të rajonit dhe kthim në vitet e 90-ta. Pra, nuk duhet që asnjë fjalë e tij te merret seriozisht”, ka thënë Osmani./nacionale/