Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në Bruksel po hartohet një plan për zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit me Serbinë, që tash i ka mbushur një vit, raporton Gazeta Express.
Osmani tha se një plan për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të kësaj marrëveshjeje duhet të bëhet, ndërsa theksoi se është “tejet e qartë se cila është pala e cila po i shkelë marrëveshjet”.
“Pra, unë mendoj që është tejet e qartë se cila është pala e cila po i shkelë marrëveshjet e veta. Tani ajo që do të duhej të ndodhte në këtë periudhë, e që nuk ka ndodhur, që do ta lehtësonte zbatimin e plotë të pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të kësaj marrëveshjeje – jo vetëm pika-pika, por të tërë – është mungesa e një plani të zbatimit i cili ende është duke u hartuar në Bruksel, sepse nuk ka pasur pajtim të plotë”, tha Osmani në Lipjan, pas takimit që pati me kryetarin e kësaj komune, Imri Ahmeti.
Osmani tha se ka kundërshtuar një plan të propozuar më herët nga ndërmjetësi, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pasi ai ishte i pabalancuar në favor të Serbisë.
“Dhe të ju them sinqerisht, edhe unë si presidente kam qenë kundër një plani që u pat propozuar nga ndërmjetësuesi, sepse ka paraparë që shumica e përfitimeve që i ka Serbia nga ky plan, të jenë në fillim të zbatimit, kurse ato të Kosovës të vijnë krejt në fund. Pra, nuk ka pasë balanc, as zbatim paralel të kësaj marrëveshjeje sipas atij plani sekuencues, siç po e quan Bashkimi Europian”, tha ajo.
Presidentja kërkoi edhe një herë që “të ketë trajtim të barabartë të palëve, që plani sekuencues i zbatimit të ketë parasysh që si Kosova, si Serbia, të zbatojnë në mënyrë paralele, të menjëhershme obligimet e tyre”.
“Jo që njëra palë t’i ketë të gjitha përfitimet në fillim, e pastaj për Kosovën të mendohet krejt në fund, sepse kjo thjesht do të na e krijojë edhe një situatë ku Serbia përfiton, kurse Kosovës i thuhet ‘prit edhe pak, jep edhe më shumë, jep edhe më shumë’, dhe kjo, siç e dini, nuk është strategji e cila ka sjellë më shumë paqe, por përkundrazi, vetëm e ka inkurajuar Serbinë që të shkojë edhe deri te më ekstremja, siç ishte 24 shtatori”, tha ajo.
Osmani tha paraprakisht se nëse gjykohet objektivisht, del se “Serbia e ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje”.
“Unë mendoj që mjafton që të lexohet marrëveshja dhe po ashtu aneksi i Ohrit dhe të shiqohen veprimet e palëve në terren për të ardhur te një përfundim komplet objektiv, që në këtë rast besoj nuk është vetëm i imi, por i secilit njeri që e lexon atë marrëveshje dhe atë aneks me objektivitet dhe i shiqon edhe veprimet e palëve me objektivitet. Serbia e ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje e cila qartë i kërkon që të mos e shkelë integritetin territorial të Kosovës, që ta njohë subjektivitetin ndërkombëtar dhe parimin e barazisë së palëve, që të mos votojë kundër Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, që të mos përdorë dhunë në relacionet ndërshtetërore, e shumë e shumë parime të tjera, ndër të tjera, edhe nenet e fundit të asaj marrëveshjeje të cilat kërkojnë që të zbatohen të gjitha marrëveshjet paraprake. Dhe ju siç e dini, edhe nga vetë përmbledhja e Bashkimit Europian, Serbia nuk i ka zbatuar më shumë se gjysmën e marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar në këtë 12-vjeçar a më shumë të dialogut Kosovë – Serbi”, tha ajo.