Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me shefin e NATO’s, Mark Rutte, ka thënë se Kosova së shpejti do të prodhojë municione dhe dronë.
“Ne dëshirojmë të thellojmë partneritetin tonë me NATO’n dhe të gjithë aleatët si shtete anëtare duke e zhvilluar çdo ditë e më shumë ushtrinë tonë, FSK’në, në një Forcë bashkëkohore, profesionale dhe ndërvepruese me forcat partnere në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë kudo në botë. Kosova tashmë e ka arritur objektivin e NATO’s prej 2 për qind të GDP’së për investime në mbrojtje dhe synojmë në një kohë rekord ta dyfishojmë këtë përqindje të investimeve në sektorin e mbrojtjes.
Ajo shtoi se për t’u arritur kjo, “duhet bashkëpunim më aktiv me NATO’n dhe shtetet anëtare dhe partnere”.
“Po ashtu, Kosova së shpejti do të fillojë edhe me prodhim të dronëve dhe municioneve duke e pozicionuar vetën si një partner strategjik në fushën e mbrojtjes”, tha Osmani. /GazetaExpress/