Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova e meriton anëtarësimin në organizatën ushtarake të NATO-s, 25 vjet pas çlirimit me ndihmën e NATO-s.
Në fjalimin në Kuvend në seancën solemne, Osmani ka thënë se çlirimi i Kosovës në vitin 1999 s’ishte thjesht fitore ushtarake e NATO-s dhe kapitullim i Serbisë, por edhe triumf i shpirtit njerëzor mbi tiraninë dhe i të mirës mbi të keqen. Ajo ka thënë se pjesëtarët e NATO-s nuk ishin thjesht ushtarë kur hynë në Kosovë, por shpëtimtarë.
“Ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë. Hyrja e NATO-s në qershor të 1999-s ishte fuqi e solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit universal të një populli për të qenë i lirë. Liria është më shumë se sa fjalë. Është thelbi i qenies sonë. Ajri që e thithim, ëndrra që guxojmë ta ëndërrojmë. E ardhmja që aspiruam dhe për të cilën luftuan e dhanë jetën çlirimtarët tanë”, ka thënë ajo në fjalimin në Kuvend.
Osmani ka thënë se Kosova përherë do t’i kujtojë të rënët dhe të gjithë ata që dhanë kontribut për lirinë e Kosovës. Ka thënë se mbi të gjitha duhet nderuar stoicizmin e popullit të Kosovës dhe ushtrinë çlirimtare.
“Liria nuk është dhuratë, por për të u pagua çmimi më i lartë që mund të paguajë një popull. Liria sot është përgjegjësi e trashëgimi që duhet ta mbrojmë dhe premtim që duhet ta përmbushim për këtë dhe çdo gjeneratë që vjen pas nesh. NATO-ja na dha mbështetjen dhe ne sot e synojmë dhe e meritojmë anëtarësimin në këtë organizatë ushtarake me ushtrinë tonë që me profesionalizmin e saj është e gatshme të bëhet kontribuuese për paqe kudo në glob”, ka thënë ajo.