Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sërish rreth mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Gjatë një paraqitje të tij sot, Kurti ka thënë se “opozita duhet të bëhet gati”.
“Opozita duhet të bëhet gati. Ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat shkon mandati.” – ka thënë ai sipas “EO”.
Vlen të përmendet se pas takimit me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, kryeministri Kurti takoi edhe partnerët e koalicionit, partinë “Guxo”.
Kryeministri Kurti i shoqëruar nga shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, u takuan me kryediplomaten Donika Gërvalla dhe ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.
Temë diskutimi ishin zgjedhjet të cilat po i kërkon opozita. Megjithatë, nga ky takim doli se nuk mund të ketë diskutime serioze për zgjedhje, pa pasur harmonizim ndërmjet opozitës.
“Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor.” – thuhet në komunikatë.