Homofobët s’kanë vend n’Kuvend”, kjo është thirrja e disa organizatave për të drejtat e njeriut drejtuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, të cilat po kërkojnë shkarkimin e kryetares së Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Dude Balje, për shkak qëndrimeve të saj ndaj komunitetit LGBT+.
Gazeta Insajderi ka telefonuar deputeten, Dude Balje për të parë se si e ka pritur këtë thirrje.
Balje në prononcim për Insajderi, ka thënë se ajo nuk është kundër grupit LGBT, por ndaj kërkesave të tyre, të cilat kanë të bëjnë me krijimin e familjes.
Ajo ka theksuar se thirrje të tilla mund të ketë, por që mendimi i saj nuk do të ndryshoje edhe nëse kjo i kushton me heqjen nga pozita e kryetares në këtë komision.
“Në fakt prej momentit që nuk e kam votu Kodin Civil, kanë fillu këto thirrje, do të thotë ndaj Kryetarit i Komisionit për të Drejtat e Njeriut nga LGBT. Unë, nuk jam kundër LGBT, aspak, unë jam kundër kërkesës që ata kanë sepse unë mendoj që janë kundër familjes normale, familjes kosovare, shqiptare, boshnjake – janë kundër fesë, dhe unë jam kundër dhe posti i kryetares për Komisionit për të Drejtat e Njeriut nuk mundet kurrë me ma ndryshu mendjen”, ka thënë ajo për Insajderin.
Balje ritheksojë se nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket Kodit Civil.
“Tash kryetari mundet me vendos në favor të LGBT ose kundër. Unë nuk përzihem aty, por pa marrë parasysh unë mendimin e kam të cilin e kam, unë prej ditës së parë që është diskutuar për Kodin Civil, kam dalë publikisht me mendimin tim dhe nuk do ta ndryshojë”, u shpreh ajo.
Gjatë bisedës, ajo u shpreh e bindur se të njëjtin qëndrim si të saj ndaj LGBT-së e ndajnë edhe 95% e popullatës në vend.
“Ata munden me kërku (shkarkimin), unë kam të drejtën e shprehjes së mendimit të lirë dhe ata nuk munden me më imponu mendimin. Dhe, unë jam e sigurt që gati 95% e qytetarëve të Kosovës mendoj si unë, dhe unë nuk do të ndryshojë asgjë”, deklaroi deputetja.