Kryediplomatja Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Nita Shala do të jetë ambasadore e Kosovës në Itali.
Gërvalla ka thënë se me Nita Shalën si ambasadore “marrëdhëniet tona ndërshtetërore me Italinë do të shënojnë hapa të ri të zhvillimit dhe fuqizimit të tyre”
Ajo ka falënderuar Ambasadoren e deritanishme, Lendita Haxhitasim.
Nacionale kishte raportuar për këtë temë.
Shkrimi i saj:
Nga sot, Nita Shala do të jetë Ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali!
Nita Shala është profesoreshë e së drejtës dhe avokate me eksperiencë të gjerë profesionale në institucione ndërkombëtare. Ajo mban titullin doktor shkencash në drejtësi nga Graduate Institute-Geneva dhe ka përfunduar studimet themelore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, studimet master për drejtësi penale në Universitetin e Oxfordit dhe studime ekzekutive në Harvard, Shkolla për Qeverisje Kennedy.
Jemi të bindur që me Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Kosovës, Nita Shala, marrëdhëniet tona ndërshtetërore me Italinë do të shënojnë hapa të ri të zhvillimit dhe fuqizimit të tyre. Ambasada jonë dhe Ambasadorja Shala do t’i shërbejnë me përkushtim mërgatës sonë të përqendruar në Itali.
Një falënderim i veçantë për Ambasadoren e deritanishme, Lendita Haxhitasim, për kontributin e saj të çmuar.