Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se ndonëse janë bërë një vit nga Marrëveshja e Brukselit Serbia ende refuzon ta nënshkruajë atë. Bislimi thotë se përgjatë këtij viti ka pasur shkelje nga Serbia.
“Kur do të duhej të ishim në rrugën e drejtë të zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit, shënojmë një vit nga dita kur u dakordua ajo, dhe Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen. Përkundrazi, përgjatë kësaj periudhe një vjeçare jemi përballur me shkeljet e Serbisë, eskalimet e saj në terren, refuzimin verbal dhe zyrtar të marrëveshjes dhe qasjes së vazhdueshme destruktive.”
Bislimi tha se pesë herë është ofruar nënshkrimi i marrëveshjes, derisa shtoi se Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Ankesit Implementues.
“Me 27 shkurt në Bruksel, me 18 mars në Ohër, me 14 shtator në Bruksel, me 26 tetor në Bruksel, me 8 shkurt në New York, plot pesë herë u ofrua dhe publikisht nënshkrimi i marrëveshjes, por u refuzua. Përtej kësaj, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Aneksit Implementues.”
Zëvendësi i Kurtit tha se pas dakordimit në Bruksel dhe Ohër, Serbia shantazhoi dhe kërcënoi serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit, sulmuan institucionet e Kosovës, KFOR’in dhe gazetarët, rrëmbyen policët dhe sulmuan më 24 shtator në Banjskë.
Ai ka përmendur edhe trupat ushtarakë të Serbisë që u afruan në kufi me Kosovën.
“Pas dakordimit të Brukselit dhe Ohrit, shantazhuan e kërcënuan serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të prillit, sulmuan një muaj më pas institucionet tona, KFOR-in dhe gazetarët, rrëmbyen brenda territorit tonë tre zyrtarë policorë, sulmuan veriun e shtetit tonë me 24 shtator në aktin e agresionit të Banjskës, afruan trupat ushtarake përreth kufirit tonë dhe si kërcënim i qartë dhe i hapur deklaruan se nuk do ta njohin sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe zyrtarisht me shkrim konfirmuan refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit përmes letrës së kryeministres Brnabiq në dhjetor.”
Bislimi tha se “në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke.”
Ai shtoi se Kosova qëndron konstrutive dhe e angazhuar në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe të Aneksit Implementues.
“Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj Implementues, duhet të zbatohen sa më parë. Rajoni ka nevojë për zhvillim e prosperitet, harmoni e marrëdhënie të mira fqinjësore mes të gjitha shteteve të rajonit”, ka shkruar Bislimi në Facebook.