Tashmë ka nisur takimi në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq në Bruksel, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ka filluar takimi trepalësh mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar.
Takimi trepalësh ka filluar pak para orës 10:00, ka raportuar mediumi Tanjug.
Ndryshe, emisari evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për të vazhduar sot në Bruksel, diskutimet mbi dinarin, me shpresën për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Kryengociatorët do të takohen të mërkurën këtu në Bruksel dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së përkohshme të qëndrueshme për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Dhe në pritje të këtij takimi të mërkurën, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, tha të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Do të jetë ky takimi i shtatë me radhë ku diskutohet zbatimi i rregullores së BQK-së. Palët akoma nuk kanë gjetur zgjidhje, teksa në tryezë është ende propozimi për kompromis i prezantuar nga Miroslav Lajçak, në fund të muajit mars.
Më 12 maj, ka kaluar periudha kalimtare e Bankës Qendrore dhe nga e diela, euro është valuta e vetme për transaksione në Kosovë. Sipas kryeministrit të vendit, Albin Kurti, nëpërmjet rregullores së BQK-së, po synohet ligjshmëria e transparenca.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lart se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese. Rregullorja e BQK-së nuk është për të dalë kundër dinarit, por për euron si mjeti i vetëm për pagesa në Kosovë”, është shprehur Kurti.
BQK ka njoftuar se e ka përmbyllur edhe periudhën tremujore tranzitore për siç thuhet, “zbatim i lehtësuar i rregullores për operacione me para të gatshme”. BQK-ja ka sqaruar, ditë më parë se pas përmbylljes së periudhës transitore, ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit, duke vendosur edhe 38 bankomatë apo pajisje të ngjashme të vetëshërbimit financiar./rtvdukagjini/