Qytetarë në Mitrovicën e Veriut kanë nisur nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq.
Qytetarët serbë janë grumbulluar të mërkurën në mëngjes afër sallës së sportit dhe numri i tyre po shkon duke u rritur.
https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FVideoKTV%2Fvideos%2F1550975628987323%2F&show_text=true&width=560&t=0
Në grumbullin e qytetarëve janë parë edhe ish-krerët e Listës Serbe dhe ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut nga kjo parti.
Në të njëjtën kohë ka nisur edhe nënshkrimi i peticionit për shkakrimin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq e Zubin-Potok, iniciuesit e peticionit kanë kohë deri më 22 janar të mbledhin nënshkrimet e nevojshme, e në Zveçan edhe pesë ditë më shumë.
Në udhëzimin administrativ të bërë sivjet, duhet që 20 për qind e votuesve të regjistruar të nënshkruajnë peticionin, për të çuar në votim procesin për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë rast, në Mitrovicën e Veriut, numri i votuesve është: 18,199. Sipas përllogaritjeve, 3,640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale. Nëse konfirmohet nënshkrimi i peticionit nga të paktën 20 për qind e votuesve të regjistruar, në procesin e votimit duhet të votojnë pro të paktën 50 për qind, për ta rrëzuar kryetarin.
10 ditë më parë, kjo komunë nuk e pati pranuar kërkesën e një grupi për t’u regjistruar si grup nismëtar për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Erden Atiqit.
Udhëzimi Administrativ për shkarkimin e kryetarëve të komunave nëpërmjet peticionit u miratua pasi nëpërmjet protestave, serbë të veriut kundërshtuan zgjedhjen e autoriteteve lokale që morën mandatin në procesin elektoral, i cili u bojkotua nga Lista Serbe.
Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – me asistimin e policisë së Kosovës – në fund të majit, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.
Tensionet u përshkallëzuan në dhunë më 30 maj në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.
Bashkësia ndërkombëtare në krye me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet. Nga Prishtina kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq nga Beogradi që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në procesin zgjedhor.