Bashkëpunimin që nuk e gjeti në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje është duke e kërkuar te deputetët e saj në mënyrë individuale. Nga LDK-ja kanë konfirmuar se së paku dy deputetë të saj janë kontaktuar nga VV-ja, porse janë unik si parti në qëndrime. Në Vetëvendosje kanë mohuar këto pretendime.
Lëvizja Vetëvendosje nuk është mjaftuar me refuzimet që ka marrë nga Lidhja Demokratike e Kosovës për bashkëpunim drejt formimit të institucioneve të reja.
Pas kryetarit të saj, Lumir Abdixhikut, Vetëvendosje ka filluar të kontaktojë deputetët e LDK-së në mënyrë individuale.
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se më shumë se dy kolegë të tij janë kontaktuar nga VV-ja.
Por, sipas tij, një mënyrë e tillë, ndonëse legjitime, nuk sjell stabilitet e zhbllokim të situatës.
“Përtej dyve, ma shumë janë kontaktu por është çështje që ata/ato i kanë zbardhë vet këto takime që nënkupton që LDK-ja është unike, na veprojmë bashkë dhe jemi të interesum me i dhanë oksigjen politik krejt kësaj situate”, ka deklaruar Haziri. /Koha