Policia e Kosovës ka dhënë detaj lidhur me arrestimin e dy të dyshuarve për spiunazh në rajonin e Ferizajt.
Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se në dy lokacionet e të dyshuarve ndër të tjera janë konfiskuar edhe armë, municione e gazmaska ushtarake.
“Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe Policia kanë arrestuar të mërkurën dy persona në Ferizaj, të cilët janë të dyshuar për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
Prokuroria Speciale, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka bërë të ditur se të arrestuarit B.Sh. dhe M.Q. kanë nënshtetësi kosovare dhe se hetimet ndaj tyre janë zhvilluar që prej disa muajsh.