Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, ka njoftuar se edhe në këtë klinikë do të bëhet fertilizimi i asistuar, e sipas tij kërkesat pritet të jenë të mëdha.
Ai ka thënë të enjten në emisionin “SOT” në KTV, se janë në pritje të pajisjeve, e puna pritet të nisë në fund të korrikut.
“Jemi në pritje të pajisjeve. Kanë filluar pajisjet të arrijnë, në fund të korrikut presim të kompletohen pajisjen e reparti i IVF. Na duhen disa muaj derisa të nisim me punë, stafi është i trajnuar, kanë qenë disa javë në Turqi. Jemi në kontakt me ekspertë turq, sipas nevojë të kemi ndonjë trajtim shtesë të stafit”, ka deklaruar Ndrejaj.
Sipas drejtorit të kësaj klinike, pagesa për këtë shërbim do të jetë simbolike, duke shtuar se ajo në sektorin privat është dukshëm më e lartë.
“Do të jetë pagesë simbolike ose e nevojshme që s’do të mund të mbulohen nga klinika e SHSKUK-së, pasi do të ketë kërkesa të mëdha. Shuma më e vogël do të jetë se në sektorin privat, në sektorin privat deri në 3000 euro, e këtu në një kalkulim deri në 1000 euro”, është shprehur ai.
Klinika e Gjinekologjisë është rinovuar së fundmi, derisa drejtori u shpreh se janë përmirësuar dukshëm shërbimet.