Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka raportuar të martën në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me raportin e auditimit të performancës “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit”.
Nagavci gjatë raportimit në këtë komision ka thënë se për këtë sistem pagesat nuk janë kryer në kohën e saj.
“Më 28 maj e kemi dorëzuar në Prokurori Speciale, tashmë jemi të njoftuar që është duke u punuar dhe Prokuroria Speciale është duke i grumbulluar materialet. Nuk është bërë asnjë pagesë në kohën time, pagesat janë bërë nga ish-ministrat e tjerë”, ka thënë ajo.
Edhe ish-ministrja e këtij dikasteri, tashmë deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se asnjë pagesë nuk është kryer gjatë kohës sa ajo ka qenë në këtë ministri.
Bajrami ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që t’i hetojë personat përgjegjës.
“Nuk është bërë asnjë pagesë gjatë kohës sa kam qenë ministri. Krejt çka kam bërë është kam kërkuar të kem qasje në këtë projekt për të parë nëse sistemi është funksional dhe e kemi parë që është i pashfrytëzueshëm. I kërkoj prokurorisë që ta hetojë dhe personat përgjegjës. Pjesa që unë mendoj që është kriminale inicimi i këtij projekti pa pasur infrastrukturë”, ka thënë ajo.
Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka kërkuar që projekti të hetohet.
“Është e pakuptimtë që ende në vitin 2024 kemi probleme me digjitalizim, ne nuk jemi kompetentë të themi nëse mund të funksionalizohet. Unë mendoj që është dashur të bëhet një komision profesional që ta konstatojë nëse është në funksion projekti, pasi ministria nuk mund të konstatojë nëse bën apo jo softueri. Ne jemi që projekti të hetohet”, është shprehur ai.
Ndërsa deputeti tjetër nga PDK-ja, Rashit Qalaj, ka thënë se mungesa e dokumenteve është shqetësuese.
“Brenga kryesore e ime është mungesa e dokumenteve, si do të funksionojë prokuroria kur ka mungesë të dokumenteve, nuk ka hiç rëndësi kush ka qenë, atëherë kushdo që ka keqpërdorur duhet të hetohet”, ka thënë ai.