Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, deklaron se Qeveria Kurti nuk ka përmbushur asnjë kriter për liberalizimin e vizave. Sipas tij, liberalizimi i vizave nuk është akt për të përvetësuar meritat nga askush.
Ai ka shkruar një kronologji të procesit të liberalizimit të vizave, duke theksuar se Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte pohuar se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.Por, ish-kreu i LDK-së nuk e vë në faj vetëm LVV-në për siç thotë vonesën 7-vjeçare të liberalizimit të vizave, ai thotë se për këtë vonesë “ishin edhe parti të tjera opozitare ( AAK, NISMA) që kundërshtuan sikurse edhe një numër i deputetëve të LDK-së (VV-së brenda LDK-së) dhe ndonjëri nga PDK”.
“Opozita kundërshtonte demarkacionin me Malin e Zi duke trilluar se Kosova po humb 8200 hektarë. Demarkacioni u votua në mars të vitit 2018, gënjeshtrat u gëlltitën, por qytetarët e Kosovës u dashtë të presin edhe 7 vjet para ambasadave, të humbin kohë e të shpenzojnë para. Për këtë vonesë nuk mund të fajësohet vetëm Vetëvendosja, ishin edhe parti të tjera opozitare ( AAK, NISMA) që kundërshtuan sikurse edhe një numër i deputetëve të LDK-së (VV-së brenda LDK-së) dhe ndonjëri nga PDK. Këta kalkulantë të votave, Kosovës nuk ia kthyen asnjë hektar nga predikimet e tyre, por qytetarëve ua zbrazën gjepat, kurse gënjeshtrat dhe mashtrimet i shitën dhe vazhdojnë ti shesin në tregun e lirë të popullizmit”, shkroi ai në FB.