Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pasi emri i Ibrahim Rugovës ka zënë hapësirë nëpër studio televizive në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Mustafa në reagimin e tij ka shkruar se për Rugovën s’kanë folur ata që duhej të flisnin, por njerëz që bëjnë politika ditore me emrin e Rugovës dhe figurën e tij, shkruan Gazeta Express.
Ish-kryeministri Mustafa tutje ka thënë se Rugova s’ka nevojë të mbrohet nga askush, meqë atë e mbron vepra e tij. Mustafa duke i reaguar zyrtarit të lart të PDK, Xhavit Halitit, ka thënë se nuk thuhet e vërteta, kur dikush që s’e ka dashur aspak Rugovën, pretendon se Rugova kishte kërkuar azil në Gjermani.
Mustafa tutje ka thënë se kishte qenë në Bon në atë kohë si anëtar i qeverisë në ekzil, në kohën kur Rugova bashkë me familjen e ngushtë kishte shkuar nga Italia për në Gjermani. Ish-kreu i LDK-së thotë se Qeveria në ekzil ka qenë e interesuar që Rugova të qëndronte në Gjermani me shpenzimet që do t’i paguante vetë qeveria në ekzil e Kosovës dhe thekson se askush s’e ka përmendur azilin.
Reagimi i plotë:
25 vjetorin e çlirimit të Kosovës disa e shfrytëzuan për ta sulmuar dhe denigruar figurën presidentit Ibrahim Rugova, njeriut i cili i vuri themelet e çlirimit dhe të pavarësisë. Për Rugovën nuk folën ata që do duhej të flisnin. Disa kanë vdekur, disa nuk u ftuan të flasin, disa nuk janë aty ku është mikrofoni e disa po bëjnë politika ditore me emrin dhe figurën e tij për interes të tyre. Rugova nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, sepse atë e mbron dhe e madhëron vepra e tij. Nuk shkruhet historia duke e cilësuar Rugovën si paranojak, sepse paranojakët nuk krijojnë vepra kombëtare, siç i krijoi Rugova. Aq më pak nuk thuhet e vërteta nëse ia mvesh dikush, që nuk e ka dashur Rugovën asnjëherë, që ai ka kërkuar azil në Gjermani. Unë kam qenë në Bon, si anëtar i qeverisë në ekzil, kur ka ardhur Rugova me familje të ngushtë nga Italia në maj të vitit 1999. Qeveria jonë ka qenë e interesuar që Rugova të qëndrojë aty për një kohë dhe të punojmë së bashku deri sa të kthehemi në Kosovë. Që qeveria e Kosovës (jo ajo gjermane) ti mbulojë shpenzimet e qëndrimit dhe të aktivitetit të tij. Askush nuk e ka menduar as përmendur azilin. Së fundmi azil nuk kishim kërkuar asnjëri nga ne që qëndruam 9 vite në ekzil, (as dr. Bujar Bukoshi, as dr. Muhamet Bicaj, as Halit Muharemi, as unë). Pas disa ditësh Presidenti Rugova u kthye në Itali. Qeveria dhe populli italian u treguan atëbotë mikpritës dhe më të kujdesshëm ndaj Rugovës. IM