Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur opozitës me disa statistika të Trustit, sa i përket punësimit.
Murati ka thënë se numri i llogarive aktive në vitin 2023 ka qenë 442 mijë e 383, e që thotë se është indikatori më i mirë dhe që demanton opozitën, raporton Express.
Krahasuar me vitin 2022, figuron se numri i llogarive është rritur për rreth 13 mijë e 500.
“Sipas raportit vjetor të Trustit, numri i llogarive aktive në vitin 2023, pra llogarive që kanë paguar kontribute, ka qenë 442,383. Zakonisht e kemi dëgjuar opozitën të kontestojë shifrat e ATK-së dhe ASK-së, me pretendimin që nuk janë të sakta, dhe se numri i llogarive aktive në Trust është indikatori më i mirë. Pa hyrë në diskutime se cili indikator është më i saktë, ja edhe numrat e Trustit, që edhe kësaj radhe demantojnë opozitën”, ka shkruar Murati.
Lidhur me numrin e llogarive për vitin 2019 dhe 2021, Murati ka dhënë një sqarim.
“PS. Në vitet 2019 dhe 2021 ka pasur zgjedhje, prandaj edhe numrat e llogarive aktive në Trust mund të jenë më të fryra në këto dy vite meqenëse ka një numër të konsiderueshëm të vëzhguesve e komisionerëve që raportohen si llogari aktive”, ka shkruar Murati.