Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme. Ministria u ka thënë qytetarëve që të qëndrojnë në vende të sigurta.
Thirrja e Ministrisë vjen pas sulmit të Izraelit në Iran të premten dhe përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme.
“Duke marrë parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë në Izrael dhe rajon, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael, këshillon të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen aktualisht në Izrael, që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ushtria izraelite ka thënë se 200 avionë luftarakë janë përdorur në sulme. Nga zonat e goditura ishte selia komanduese e Gardës Revolucionare Islamike në Teheran, duke vrarë komandantin e saj, Hossein Salami. Nga sulmi është vrarë edhe Ali Shamkhani, njeri i afërt i Khameneit dhe ish-kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, është vrarë në sulm po ashtu.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka konfirmuar se zona kryesore bërthamore e Iranit në Natanz është goditur nga Izraeli. E ka konfirmuar se termocentrali bërthamor iranian Bushehr, në bregdetin e Gjirit Persik, “nuk është shënjestruar dhe se nuk është vërejtur asnjë rritje e niveleve të rrezatimit në zonën e Natanzit”.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin, ka thënë se Irani ka lëshuar rreth 100 dronë drejt territorit izraelit dhe se ata po punojnë që t’i ndalojnë.