Pas një periudhe larg skenës muzikore dhe një përkushtimi të thellë ndaj fesë, reperi Fero duket se është gati për një rikthim të fuqishëm në muzikë. Në Instastory, ai dje ndau një pjesë nga projekti i tij i ri, ku dëgjohet duke shprehur motivimin për të rikthyer suksesin — këtë herë me një qëllim personal: vajzën e tij, të cilën thotë se nuk e ka parë prej muajsh.
Kënga duket se përmban nota emocionale, por edhe të ashpra. Teksti përfshin referenca ndaj situatës së tij personale, përfshirë raportin me ish-partneren Arbenita Ismajli, të cilës i drejtohet me fjalë të forta.
Në mënyrë të papritur, ai përmend edhe avokaten e saj, znj. Blinera Osmani – motra e Presidentes së Kosovës, duke e përfshirë si figurë me ndikim në përplasjen ligjore për kujdestarinë.
“Se kom pa cikën qe 8 muaj, ku*** po bon skena, i qoj të fala motrës t’Presidentes…”, ndëgjohet të thotë Fero gjatë këngës së re, që ende nuk e ka publikuar.
Por, Fero dikur shprehej kategorisht kundër muzikës.
Ai në largimin e tij nga muzika kishte thënë se muzika është e ndaluar e prandaj edhe po e braktis.
“Unë kam vendosur që përfundimisht të largohem prej muzikës, arsyeja kryesore është se kohëve të fundit kam studiuar rreth fesë islame dhe më është bërë e qartë se muzika është e ndaluar në islam. Për këtë arsye kam vendosur që ta lë muzikën dhe t’i përkushtohem fesë islame dhe familjes time“, kishte thënë ai.
Ndërsa më vonë në një postim i kishte qëndruar besnik deklaratës së tij.
Ai thoshte se nuk ka shpresa për rikthim të tij në muzik.
“Për muzikë mos mbani shpresa hiç, kjo nuk do të ndodh edhe pse e di që e ndjeni mungesën time”, kishte shkruar Fero.