Ministria e Mbrojtjes përmes një komunikate për media kanë reaguar ndaj deklaratës së Daut Haradinajt, i cili në emisionin “Pressing” ka thënë se një dron i FSK-së ka humbur. Në këtë reagim ministria që drejtohet nga Maqedonci kanë thënë se pretendimet e tilla s’janë të vërteta dhe se numri i dronëve në FSK po shtohet.
Haradinaj e Maqedonci kanë polemizuar edhe të enjten lidhur me çështjen e dronit. Pasi Maqedonci kishte mohuar deklarimet, Haradinaj i kishte thënë të mos flasë për ministri meqë askush se pyet për asgjë.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:
Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet si një forcë profesionale, e ndërveprueshme me NATO-n dhe e gatshme për të kryer detyrat e saj bazuar në mision. Asgjë e pavërtetë që thuhet për të nuk i kontribuon zhvillimit të saj, përkundrazi mbështetë tentativat për minimim e një pune kolosale brezash, sakrificën e dëshmorëve, veteranëve dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për formimin e një ushtrie të gatshme për mbrojtje të territorit.
Teksa lajmet e pavërteta përhapen nëpër studio televizive pa kuptuar peshën e fjalës në sigurinë e vendit, informojmë qytetarët se të pavërteta janë dhe pretendimet se ka humbur ndonjëherë ndonjë dron. Përkundrazi, flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet. Kurse për çështjen e furnizimeve ju sigurojmë që në vazhdimësi pranojmë furnizime me sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake.
Ndjeshmëria e procesit të blerjeve dhe furnizimit, ligjërisht kufizon nivelin e informacionit që mund të ndajmë me publikun pa dhënë shumë detaje. Megjithatë janë evidente aktivitetet e shumta të FSK-së ku janë pëdorur e përdoren pajisjet dhe sistemet më moderne të armatimit me të cilat FSK është furnizuar dhe po furnizohet vazhdimisht. Të tjera po vijnë, dhe të gjitha sipas standardeve të NATO-s.