Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka sqaruar se kush përfiton nga marrëveshja për banimin social adekuat, që u miratua sot në Kuvendin e Kosovës.
Aliu tha se janë kategoritë sociale ato që përfitojnë, derisa tha se përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të këtyre banesave, por përfitojnë vetëm në kohën sa janë kategori sociale, raporton Express.
“Kur flasim për banimin social, janë kategoritë sociale ato që përfitojnë. Banimi social është përherë në pronësi të shtetit dhe menaxhojnë komunat me banimin social dhe monitorohen nga niveli qendror. Varësisht prej kategorive sociale, janë edhe përfituesit e banesave. Përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të banesave sociale, por përfitojnë në periudhën sa janë kategori sociale, Në momentin që ata dalin nga kategoria sociale, ata më nuk mund të jenë përfitues të banimit social”, deklaroi Aliu.
Ai foli edhe për kategoritë që përfitojnë.
“Janë pesë kategori: Kategoria shumë e varfër, kategoria e varfër dhe e cënueshme, me të hyra të ulëta, me të hyra të ulëta mesatare dhe të hyra mesatare. Kur folëm për shpërndarjen e banimit, janë komunat ato që aplikojnë me lokacione konkrete brenda zonave urbane dhe analizohen marrëdhëniet e këtyre lokacioneve me zonat rreth me infrastukturën që kanë”, tha Aliu.
Aliu tha se kanë menduar që të ketë një kombinim mes banimit social dhe banimit të përballueshëm.
“Banimi i përballueshëm është banimi që përfundon si pronë e pronarëve të rinj, i cili nuk shkon me këtë kredi por me buxhetin e Republikës së Kosovës. Rastet sociale brenda lagjeve ku ka banime të rregullta dhe do të jenë me banim të përballueshëm që do të jenë kategoritë e shërbyesve civilë, kategoritë madje edhe nga sektori privat që pagat e tyre janë të minimizuara”, tha Aliu.
Kjo marrëveshje kaloi me 80 vota për, asnjë votë kundër, asnjë abstenim, derisa deputetët e PDK’së nuk morën pjesë fare në votim.