Gazeta Nacionale të hënën publikoi ekskluzivisht aktevendimin përmes së cilit Prokuroria Speciale ka zgjeruar hetimet në çështjen e ambalazhuesve të ujit. I pandehur, rezulton të jetë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ky i fundit, në një konferencë për media të mërkurën, është pyetur në lidhje me këtë, ku ka përsëritur se nuk ka pasur njoftim zyrtar se kanë nisur hetimet ndaj tij.
Ndonëse nuk foli shumë gjatë për këtë çështje, ai ka thënë se shpreh gatishmërinë e plotë të bashkëpunojë me drejtësinë, derisa shtoi se “jam për zbatim të ligjit në këtë pikë pa asnjë lloj hezitimi”.
“Unë nuk kam asnjë informacion zyrtar, i tërë informacioni që kemi është ky nga portalet, nga mediat që e kemi pasë, pra që ka zgjerim të hetimeve ku jam i përfshirë edhe unë si ministër i Ministrisë. Pa pasë një qëndrim zyrtar, nuk mund të deklaroj më tepër se sa atë që kam deklaru në një deklarim në Facebook, ku unë e shpreh gatishëmrinë time të plotë të jem në bashkëpunim të zbatimit të ligjit dhe vendosjes së drejtësisë, jam për zbatim të ligjit në këtë pikë pa asnjë lloj hezitimi.” – u shpreh ai, transmeton Nacionale.
Çka thuhet në dokument?
Sipas dokumentit të siguruar nga Nacionale, ministri Liburn Aliu dyshohet se gjatë periudhës kohore, prej vitit 2021-2024 në cilësinë e përsonit zyrtar, pra si ministër, me qëllim të përfitimit të kungërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët dhe për t’i shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare.
Ai dyshohet se ka qenë në dijeni se zyrtarët e kësaj Ministrie të pandehurit Izedin Bytyqi e Naser Hafizi vepruan në kundërshtim të plotë me rregullat, procedurat e ligjet në lidhje me llogaritjen e borxheve.
Ministri Liburn Aliu dyshohet se ka lejuar, me qëllim përfitimi e për t’i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, që operatorëve ekonomik t’u zvogëlohen borxhet.
Më këtë sipas aktvendimit për zgjerimin e hetimeve, Ministri Aliu i ka shkakatuar dëm buxhetit të Kosovës miliona euro.
Me pagë vetëm 732 euro në muaj vetëm në shkurt të këtij viti ka pasur qarkullim bankar prej 395 mijë eurove – dhe vetëm brenda një viti ka blerë katër banesa.
Kështu skicohet boshti i dyshimit mbi Naser Hafizin – zyrtarin e lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Mjedisit – i cili u arrestua ditë më parë.
Rasti në fjalë ka të bëjë me dy zyrtarë në ministrinë e Liburn Aliut, të cilat dyshohen për përfsirje në shlyerje e ulje të borxheve për ambalazhues të ujit.
Dosja e Prokurorisë që siguroi televizioni ‘ATV’ shtjellon se si Hafizi – përveç zyrtar me shef Liburn Aliu edhe pjesëtar e simpatizant i Vetëvendosjes – ka një diskrepancë të madhe mes të hyrave të pakta dhe të blerave të mëdha e qarkullimit enorm të parave në bankë.
“Me qëllim të fshehjes së këtij aktiviteti dhe burimit të vërtetë të pasurisë të hollat para nga keshi i ka futur në sistemin bankar ashtu që ka bërë deponime përmes sistemit ATM ku nga viti 2018-2024 ka deponuar 109 mijë e 360 euro , ashtu që në vitin 2022 i ka deponuar në kesh 31 mijë e 640 euro, ndërsa në 2023 – 51 mijë e 70 euo, si dhe shuma të tjera në vite të ndryshme”.
“Ka bërë deponime përmes llogarive bankare të familjarëve, kinse si kursim, huazim apo dhuratë nga personat e tjerë. Një pjesë të huazimeve i ka kthyer në kesh edhe pse i ka marrë me transferim bankar.” – thuhet në dosjen e Prokurorisë.