Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë lidhur me problemet me energjinë elektrike ditët e fundit. Ai ka thënë se deklaratat se po ka mbingarkesë do të shmangeshin nëse do të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me gaz.
Ai ka përmendur edhe deklaratën e kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, i cili të premten tha se sistemi elektroenergjetik po përballet me ngarkesë të jashtëzakonshme “si rezultat i zhvillimit ekonomik që ka ndodhur vitet e fundit”. Këtë Hoti e ka quajtur deklaratë të përçudnuar.
“Katër vite në qeverisje. Asnjë kapacitet i ri energjetik nuk është ndërtuar. Projekti i gazit u anulua, i cili sot do të ishte funksional. Tani kur përballemi me mungesë të energjisë në dimër, këta të paaftë që dinë të bëjnë vetëm deklarime të përçudnuara se: ‘nuk ka mungesë të energjisë, por ka mbingarkesë’, ‘mbingarkesa po vjen për shkak të zhvillimit ekonomik’ etj. Ta merr mendja se zhvillimi ekonomik ndodh vetëm në dimër, e jo në verë. Kur pyetet ministrja e ekonomisë për reduktimet me energji, ajo përgjigjet se i ka përcjellur ankesat e qytetarëve në KEDS, sikur të ishte zyrtare për ankesa të qytetarëve e jo ministre përgjegjëse për zhvillimin strategjik të sektorit të energjisë. Sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me gaz, sot do të kishim së paku edhe 200 megavat energji për të mbuluar kërkesën e tepërt për energji, që po përdoret masivisht për ngrohje”, ka shkruar ai në Facebook.