Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi ka thënë se emërimi i mundshëm i Marco Rubio në pozitën e Sekretarit të Shtetit dhe Mike Waltz si këshilltar i Sigurisë Kombëtare, është zhvillim pozitiv për Evropën dhe Ballkanin.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se të dy i përkasin lindjes tradicionale republikane më të afërt me presidentin Bush.
“Dyshja nga Florida Rubio dhe Waltz, që vijnë nga Senati dhe Kongresi, do të jenë më të ashpër dhe kërkues ndaj aleatëve për ta ulur barrën amerikane të sigurisë në Evropë dhe do të kërkojnë rritje investimesh në mbrojtje dhe zgjidhjen e konflikteve përmes qasjes “paqe përmes forcës”. Por gjithsesi kjo rrymë republikane e çmon lart vlerën e NATO-s dhe do të kërkojnë gjetje të rrugës së përbashkët me Evropën sepse kërcënim kryesor e shohin përballjen me Rusinë dhe me Kinën. Ndërveprimi i Rubio dhe Waltz me Kosovën dhe Ballkanin është i paktë por gjithsesi duke qenë në komisione kyçe në Senat dhe Kongres e kanë pasqyrën historike të zhvillimeve dhe kanë pasur takime.” – ka shkruar ai.
Tutje, Maliqi ka thënë se ky nivel i lartë i vendimarrësve, nuk do të merret drejtpërdrejt me rajonin, duke përmendur këtë pozitën e Asistentit të Sekretarit për Evropë.
“Duhet theksuar se ky nivel i lartë i vendimarrësve, njësoj si në administratën Biden, nuk do të merret drejtpërdrejtë me rajonin, i përcaktojnë kornizat, dhe eventualisht do të mund të takohen nga tanët korridoreve. Rëndësi “operative” do të ketë pozita e Asistentit të Sekretarit për Evropë. Por i rëndësishëm tani për tani është sinjali se nuk kemi përmbysje të politikës së madhe por thjesht ndyrshim taktik kursi. Ajo që mbetet shqetësuese është se infrastruktura ndikuese e Kosovës, jo vetëm në Uashington por edhe kudo në Evropë, ka rënë për toke nga humbja e plotë e kredibiltetit dhe besimit në këtë qeveri e cila, për shkak të qasjes së saj, ia ka dorëzuar Beogradit dhe lobit serb në Uashington çelësin e marrëdhënieve me rajonin.” – ka shkruar ai.