E di, Shkumbini nuk është mal, është lumë në zemër të Shqipërisë. Por sa herë bëhet fjalë për një vijë ndarëse metaforike të shqiptarëve, ky lumë është sistem referimi. Sipër apo poshtë Shkumbinit, gegë apo toskë, veriorë apo jugorë. Sa herë kaloj luginës së mrekullueshme të atij lumi, rrugës për në Lindje, shoh ndotjen e tmerrshme, gërryerjen e shtratit të tij dhe më vjen në mendje një paralele me Shqipërinë. Po nejse, nuk është ky qëllimi i këtij shënimi.
Ermal Mulosmani
***
Para disa ditësh deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhacka, në një përgjigje të një pyetjeje nga moderatorja, dha një përgjigje në dukje normale:
“Lidhja e kontratës është e përvitshme, është kundrejt tarifës, si të gjitha subjektet e tjera. Ke vetëm prioritet për të mos ardhur dikush nga mali e për të ngulur çadrën në plazh”.
Deputetja afërmendsh e kishte fjalën për banorët e fshatrave të bregut që e kanë shtëpinë lart, në fshatrat e Dhërmiut a Himarës. Sipad Oltës ata nuk kanë të drejtë të lahen në plazhet poshtë shtëpive të tyre, në vendet ku i kanë kujtimet e fëmijërisë, ku dikur ndiznin zjarre natën e zhyteshin në kërkim të mistereve të detit. Ata nuk mund të eksplorojnë më “shpellat e dikurshme të piratëve” nëse nuk paguajnë të futen në resortet luksoze të Oltës, Zamirit, Fatmirit, Damjanit apo Sabjanit. Aq në të drejtën e vet dukej Olta, saqë, i lejohej t’i shpëtonte edhe ndonjë përbuzje e lehtë ndaj atyre autoktonëve varfanjakë. “Ky është kapitalizmi që deshëm e luftuam” – ishte nënteksti i ligjëratës së saj. “Në gjithë botën veprohet kështu” -gëlojnë apostujt rilindas të neokapitalizmës.
Autoktonët boll e kanë parë detin e janë kënaqur me të deri tani. Tani le të na furnizojnë ne me perime e mish dhe mundet të bëjnë ndonjë pare për të paguar Oltën, si turistët nordikë, në “ballkonin” e shtëpive të veta.
Kam njëqint vërejtje për këtë version kapitalist të pushtimit të bregdetit por nuk është qëllimi i këtij shkrimi. Diku tjetër dua të dal.
Deklarata e Ministres u bë menjëherë virale në rrjetet sociale. Të gjithë e shpërndanin të mllefosur e me sharje të rënda. Mirëdashësit e Ministres e shpjeguan menjëherë “keqkuptimin”: Ishte fjala për “malësorët e bregut” jo për malësorët e vërtetë, “Ata të veriut”. Ata sigurisht që nuk kanë kurrfarë të drejte të afrohen, ata janë jashtë ccdo diskutimi.
ATA NUK EKZISTOJNË!
Po atëherë pse “u keqkuptuan” kaq shumë shqiptarët e sidomos ana “e epërme” e Shkumbinit?
Kjo pyetje sigurisht e ka një përgjigje. Sepse ata as nuk i llogarit njeri. Ata janë të përjashtuar apriori. Në administratën e sotme shtetërore, punojnë rreth 200 mijë punonjës. Është një armatë e madhe, më e madhja që ka ekzistuar ndonjëherë dhe me pagat më të larta. Drejtuesit e tyre janë ish patronazhistë të ngritur në përgjegjësi për hir të meritave politike. Ata me evidenca të sakta punësojnë kolegët e tyre rioshë që përcjellin stafetën. Përveç kësaj, ata janë “roja e garancisë”, se mos ndonjë kundërshtar nga “bregu andej Shkumbinit” mbërrin në “investimin e tyre strategjik” dhe ngul çadrën e tij të qelbur!
Kjo është arsyeja e reagimit masiv. Sapo të gërvishtësh pak në plagën e vënë kore, do të ndjesh një dhimbje të madhe. Është shpërthimi i pafuqisë, i lodhjes, i persekutimit krahinor që rilindasit modernë ushtrojnë ndaj sivëllezërve të tyre sipër Shkumbinit. Sa më në veri të ngjitesh, aq më e lartë urrejtja, aq më i fortë persekutimi. I kamufluar sigurisht. Dhe nuk ndalet vetëm në armatën e shtetit. Janë edhe “paramilitarët” e privatit. Oligarkët-klientë nuk duan andralla me Shefin e Madh. Autocensura e tyre për nga zelli tejkalon edhe servilët patronazhistë. “Nuk i dihet me kë është, më mirë nuk rrezikojmë” është parimi. A, nëse rekomandimi vjen nga patronazhistë apo qeveritarë, menjëherë hapet porta. Dhe dihet se ku janë të rekomanduarit e patronazhistëve, në cilën anë të Shkumbinit.
Po të ishte e mundur, edhe në pushtetin lokal të veriut, Rilindja do të emëronte jugorë. Drejtues i Qarkut të Kukësit është Pandeli Majko (!!), i Qarkut të Shkodrës është Elisa Spiropali (!!). A e imagjinoni dot një tropojan a kuksian drejtues Qarku në Gjirokastër apo Korccë?
Unë jo.
Të lodhur nga persekutimi apo injorimi total, nga papunësia e varfëria, nga mungesa e çdo lloj pushteti e për më tepër, të rënduar nga arroganca e pafshehur e pushtetarëve, rruga e vetme e të margjinalizuarve veriorë mbetet emigracioni.
Kapitalizmi patronazhist i hodhi jashtë si të tepërt. Pushtetarët jo vetëm që nuk merakosen për këtë rrjedhje por janë të gëzuar. Ata janë votues të kundërshatrit ndaj duhet të degdisen në fund të botës. Atje nuk do kenë të drejtë vote, atje kanë të drejtë vetëm të shajnë në Facebook. Popullsia votuese pakësohet por jo prej rilindasve patronazhistë. Ata janë të lumtur në Atdheun e tyre.
***
Prej 10 vitesh ka një propagandë të tmerrshme antiveriore të maskuar nën mantelin Antiberishë.
Sigurisht, është mjaft kollaj të sulmosh Berishën, mëkatet e tij nuk janë të pakta. Propagandistët rilindas përmes korruptimit të mediave kryesore kanë shfrenuar gjuhën ndaj Berishës. E vërteta është që nuk e kanë aq me Berishën sesa me origjinën e tij. E kanë me votuesin berishist që përfaqëson 60% të Veriut. Linçimi i Berishës, qesharakëzimi i tij, përçmimi mediatik, u shërben këtyre hajdutëve pushtetarë të shfryjnë mllefin ndaj votuesve berishistë nga njëra anë dhe të vjedhin si të babëzitur në anën tjetër.
Votuesit berishistë ndjehen të sharë por njëkohësisht edhe pa të drejtë reagimi, të papunë por pa të drejtë punësimi, të varfër por pa të drejtë pasurimi, fajtorë por edhe pa faj. Ky lëngim migjenian pafuqie, ky maraz dëshpërues e mbi të gjitha, mosshpresa për të ndryshuar diçka, i ka paralizuar shpirtrat e tyre. Të papunë, të përbuzur e linçuar, ata mezi presin të shpërthejnë dufin në media sociale.
Pas 45 vjetëve të Enver Hoxhës filloi epoka e bijve. Në 80 vitet e fundit, komunistët dhe pasardhësit e tyre kanë qeverisur 68 vjet ndërsa Berisha vetëm 12.
Dhe kush është mëkatari më i madh?!
Është Sali Berisha me 12 vitet e tij.
Edhe në kohën e Berishës erdhën veriorë në administratën e shtetit, edhe atëherë pati hakmarrje politike. Veçse atëherë ishte më e pranueshme, të paktën në fillimet e veta. Nuk mundet që funksionarët e lartë të komunizmit të rrinin në funksionet e tyre, përndryshe pse ra sistemi?
Por, “për nevoja të partisë”, reprezalja nuk u ndal vetëm në nivelet e epërme. Dyndjet e të papunëve demokratë kërkonin shpërblimin e pushtetit për të cilin kishin luftuar. E kështu, ish pushtetarët nga përfitues u kthyen në “viktima”, nga rrogëtarë u bënë biznesmenë dhe ishin baza e rikuperimit komunist.
Ndërsa pushtetarët e rinj, zhurmëmëdhenj e të papërvojë, nuk e përligjën karrigen që iu dha. Ata u kapardisën kolltuqeve të pushtetit si Pandi Raidhi dikur në krevatin e Perandorit. Menduan se u bë deti kos dhe komunizmi mbaroi njëherë e përgjthmonë.
Nuk kishin parë asgjë akoma.
***
Ky mund të tingëllojë një shkrim cinik e dikujt ndoshta edhe racist. Dhe kjo është ironia e vërtetë e tij. Fajin e kanë ata që e konstatojnë jo ata që e ushtrojnë dhunën. Ndërsa e shkruaj këtë shkrim në mendje kam dhjetëra miqtë e mi të mrekullueshëm korçarë, gjirokastritë, përmetarë, vlonjatë a tepelenas. Ju kërkoj ndjesë nëse ndjehen të prekur padrejtësisht pasi nuk kanë ushqyer kurrë ndjenja të tilla nga këto që përmenda unë më lart. Përkundrazi, kanë hapur shtëpitë e zemrat për miqtë e tyre veriorë si të ishin familjarë të tyre.
Por, fatkeqësisht, nuk ka ndodhur kështu me bashkëqytetasit e tyre pushtetarë. Ata me mënyrën e ushtrimit të lubipushtetit të tyre po krijojnë sot një ndarje të thellë që do jetë shumë e vështrië për tu kapërcyer. Nuk e grimojnë fytyrën raciste të këtij pushteti ndonjë Ulsi apo Linditë. Aq më pak klientët veriorë të Kryeministrit Shefqet Kastrati, Tom Doshi, Gjergj Luca e ndonjë tjetër. Ata janë instrumentet për të operuar në ato zona të urryera. Se nuk mjafton vetëm t’i urresh, duhet edhe t’i mundësh në territor tyrin , t’i poshtërosh.
Ndarja raciste veri-jug është elefanti në dhomën e Qeverisë së Shqipërisë. Të gjithë e shohin por nëse e përmend të vërsulen me argumente gëbelsianë të parafabrikuar.