Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se pas intervistimit janë liruar dy të dyshuarit e Organizatës Joqeveritare që operonte në një ankes në objektin e Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. Për këtë rast të mërkurën mbrëma janë kryer edhe bastisje, teksa për rastin ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Prokuroria ka bërë me dije që në këtë objekt operonte një OJQ në mënyrë të kundërligjshme dhe që në këtë objekt ofroheshin shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme.
Më tej, Prokuroria ka bërë të ditur se për rastin janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.
“Prishtinë, 1 shkurt 2024– Prokuroria Themelore në Prishtinë, ju njofton lidhur me bastisjen e realizuar më 31.01.2024, se pas pranimit të informatës nga Ministria e Punëve të Brendshme, se në objektin – aneks i Stacionit Policor Qendra në Prishtinë është duke operuar një OJQ në mënyrë të kundërligjshme, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë së bashku me prokurorin e rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda- Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, në koordinim me Policinë e Kosovës- Drejtoria për Hetime Rajonale në Prishtinë dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës e Inspektoratin Shëndetësor, është kryer bastisje në lokalin e lartcekur, me ç’ rast është konstatuar se në këtë objekt janë duke u ofruar shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.” – thuhet në njoftim.
Tutje, Prokuroria ka hapur rast të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, ndërsa të dyshuarit janë liruar.
“Pas intervistimit të dyshuarve, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, sipas KPRK-së. Gjithashtu, ju njoftojmë se nga bastisja e realizuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, ndërsa me vendim të Inspektoratit Shëndetësor është mbyllur objekti në fjalë.” – thuhet në njoftim
Për këtë rast ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka bërë të ditur se nga MPB kanë konfirmuar se organizata “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” ka vepruar në kundërshtim me “legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve”.
“Në mëngjesin e sotëm kemi pranuar informatën mbi aktivitetin e dyshimtë të një Organizate Joqeveritare, e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve. Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je.” – tha ai.
Më tej, ministri Sveçla ka njoftuar se lidhur me këtë, janë njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit.
Lidhur më këtë rast ka pasur reagime të shumta në rrjetet sociale për shkak se kjo OJQ ka operuar në një objeket me Policinë e Kosovës.