Lëvizja Feministe Studentore ka kërkuar të përjashtohet profesori Xhevat Krasniqi pas raportimit të KOHËS se ai është denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual.
Kjo organizatë ka përmes një aksioni simbolik, ka mbyllur dyert e Rektoratit dhe Fakultetit të Edukimit me shirita të kuq dhe mbishkrime: “Ngacmuesi seksual ka emër: Xhevat Krasniqi”, e “Përjashtoheni Xhevat Krasniqin”.
“Dje, në KOHA u publikua një artikull, sipas së cilit Xhevat Krasniqi, profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit është i denoncuar për ngacmim seksual në Këshill të Etikës nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë. Në këtë artikull lexuam rrëfimet e studenteve – viktima të dhunës seksuale nga profesori në fjalë. Këto rrëfime përfshijnë ngacmime seksuale në rrugë, në klasë e në konsultime – nga komentet rreth dukjes së tyre deri tek ofrimi i masazhit dhe tentimi për përqafim të padëshiruar”, thuhet në reagimin e Lëvizjes.
Lëvizja Feministe ka shprehur shqetësim për mungesën e reagimit të institucioneve përkatëse dhe gatishmërisë institucionale për të luftuar këtë fenomen.
“Ne konsiderojmë se edhe kësaj here ky institucion ka tentuar ta fshehë këtë rast, si krejt rastet tjera. Kjo për ne është e patolerueshme. Andaj, ne sot, kërkojmë përjashtimin e menjëhershëm të profesorit Xhevat Krasniqi nga UP-ja. Ngacmuesit seksualë nuk kanë vend në UP, andaj nuk do të ndalemi derisa Xhevat Krasniqi të përjashtohet nga UP!”