Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas Prishtinës e Beogradit ka udhëtuar në Paris ku është takuar me Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të presidentit francez Emmanuel Macron, me të cilin tha se ka folur për situatën në dialog.
“Gjithmonë kënaqësi të vizitoj Parisin! Patëm diskutime shumë të mira strategjike për situatën në dialog me Emmanuel Bonne, këshilltar diplomatik i presidentit francez dhe bashkëbisedues në Ministrinë e Jashtme të Francës”.
Bonne ka qenë i angazhuar bashkë me diplomatë të tjerë për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe në hartimin e planit që u njoh si plani franko-gjerman, i cili çoi në dakordimin e kësaj marrëveshje.
Ai ka qenë edhe disa herë në Prishtinë.
Lajcak aktualisht është duke u përpjekur që të aranazhojë një takim me kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë. Ai do të vazhdojë punën si emisar deri në janar të vitit të ardhshëm më pas do të nisë një karrierë të re diplomatike. Kjo u bë e ditur ditëve të fundit kur u njoftua se Lajçak e ka lënë postin e Ambasadorit në Zvicër që ia kishte ofruar Bashkimi Europian./Express/